Berisha akuza ndaj Yuri Kim: Ka thërritur si ushtarë deputetët e Kuvendit kundër meje
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaron se Edi Rama po bën çdo përpjekje për të ndaluar hetimet ndaj Gert Shehut, njeriu që e sulmoi fizikisht atë në protestën e 6 dhjetorit të opozitës. Nga ana tjetër Berisha akuzoi dhe ambasadoren amerikane Yuri Kim se ka thirrur deputetët e kuvendit për t’i vënë kundra tij.
Kryedemokrati Sali Berisha vijon të mos i kursejë akuzat ndaj Kryeministrit Edi Rama.
Gjatë konferencës së përjavshme me gazetarët, Berisha u shpreh se dokumenti që tregonte se sulmuesi i tij Gert Shehu kishte probleme të shëndetit mendor ishte mënyra që Rama përdori për të mbajtur të fshehur se pas sulmit fshihet vetë ai.
Berisha: Sulmi fizik i Edi Ramës, i porositur nga Edi Rama ndaj Sali Berishës, është një sulm tërësisht i porositur. Përpjekja e tij për të shuar çdo shpresë hetimi me makinerinë e tij propagandistike, e fajësojnë atë plotësisht dhe për herë të dytë.
Berisha u shpreh se opozita do t’i japë Ramës përgjigjen që ai meriton.
Berisha: Ia them prapë sot, mund të godasësh një njeri, një njeri edhe mund të vritet. Por një kauzë nuk vdes kurrë. E garantoj se opozita do i japë Edi Ramës të gjithë përgjigjen e merituar si një armik i egër i votës dhe lirive të shqiptarëve.
Kryedemokrati akuzoi edhe ambasadoren amerikane në Shqipëri, Yuri Kim si shkaktaren që po dëmton marrëdhëniet shqiptaro-amerikane dhe se ka vënë kundër tij deputetët e shtetit shqiptar.
Berisha: Në 100 vite marrëdhënie diplomatike mes dy vendeve, nuk ka pasur ndonjëherë një diplomat amerikan që të ketë dëmtuar marrëdhëniet shqiptaro-amerikane më shumë se Yuri Kim. I ka lejuar të thërrasë në radhë si të ishin ushtarë, deputetët e Kuvendit kundër Sali Berishës, duke i përpunuar dhe kërcënuar.
Berisha theksoi se protesta e 6 dhjetorit ishte një triumf që i tregoi dhe partnerëve të huaj se Shqipëria po keqqeveriset.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

