Kallëzimi i Metës, Gjykata në favor të hetimit të Autoritetit të Dosjeve
Në Shqipëri, Partia e Lirisë e drejtuar nga ish presidenti Ilir Meta bëri të ditur sot se Gjykata e Tiranës kishte shfuqizuar vendimin e Prokurorisë për të mos nisur një procedim penal ndaj Autoritetit të Dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit, pas kallëzimit të bërë kundër këtij institucioni, nga ish presidenti Ilir Meta. Gjykata, e vënë në lëvizje nga zoti Meta, urdhëroi Prokurorinë që të rregjistrojë procedimin penal dhe të kryejë hetime mbi rastin.
Lidhur me këtë çështje ka dalë në një prononcim për mediat deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili.
Sipas Vasilit prokuroria arriti deri aty sa të mos dëgjonte palën akuzuese.
Petrit Vasili: Prokuroria arriti deri aty sa të mos dëgjonte palën akuzuese por dëgjoi vetëm disa anëtarë dhe vendosi mosfillimin.
Avokati Genc Gjokutaj tha se “ky vendim gjykate na ka dhënë të drejtën për kallëzimin te autoriteti dhe jo për aplikimin te autoriteti për të marrë vesh zoti Meta nëse është apo nuk është i implikuar siç autoriteti pretendon”.
Genc Gjokutaj: Gjykata ka vendosur shfuqizimin e vendimit të prokurorisë për mosfillimin e procedimit penal ndaj anëtarëve të autoritetit për dokumentat e ish sigurimit të shtetit. Dua të nënvizoj faktin që ky vendim gjykate na ka dhënë të drejtën për kallëzimin te autoriteti dhe jo për aplikimin te autoriteti për të marrë vesh zoti Meta nëse është apo nuk është i implikuar siç autoriteti pretendon. Imagjinoni sikur në atë moment ne te një subjekt që duhet të hetohet sipas ligjit të shkonim dhe të aplikonim tek falsifikatori te shpërdoruesi i detyrës dhe të kërkonim të dhëna prej tyre.
Meta ngriti padi penale ndaj Autoritetit më datë 1 shtator, pasi dhe më herët e kishte akuzuar atë për shkelje ligjore kur ky institucion njoftoi zyrtarisht parlamentin se kishte hasur në dokumenta që e lidhnin ish presidentin me strukturat e ish Sigurimit. Sipas tij, anëtarët e Autoritetit kishin shkelur 6 nene të Kodit Penal, duke i akuzuar për shpërdorim detyre, falsifikim i dokumenteve shtetërore, falsifikim kompjuterik, falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve, përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik, zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete.
