Berisha: Rama, porositës i sulmit. Gerti Shehu s'është i sëmurë mendor, rinovoi patentën, mori kredi

Kreu i PD-së Sali Berisha në daljen e tij sot për media mbajti një deklaratë në lidhje me sulmin që u bë ndaj tij në protestën e 6 dhjetorit, nga i riu Gerti Shehu.

Sipas Berishës porositës i sulmit të tij ishte Edi Rama dhe për këtë listoi disa arsye.

Berisha deklaroi dhe se Gerti Shehu nuk është i sëmurë mendor pasi këtë vit kishte rinovuar patentën dhe kishte marrë krdi, gjë që nuk ndodh me të sëmurët mendorë.

Sali Berisha: Për të sqaruar opinionin se pse unë akuzoj direkt Edi Ramën si autor/porositës i këtij skenari. Nuk e akuzoj Ramën për motive dhe shkaqe politike. Jo. Deklaroj me përgjegjësi të plotë që çdo njeri që deklaron se kauzat e mia kanë këtë qëllim mashtron veten dhe asgjë më shumë. Nuk e akuzoj Ramën se policia nuk mbrojti protestën.

Unë akuzoj Ramën se Gerti Shehu është informator i policisë kriminale me emër, mbiemër dhe emër kod dhe është përdorur nga Ardi Veliu. Ky informator i policisë kriminale është përdorur sipas dokumentave zyrtare për çmontimin e rrjeteve të drogës dhe si vesh për xhematin e xhamisë.

Së dyti përpjeka e menjëhershme për të shfajësuar kriminelin nga barra e krimit dhe përhapja me shpejëtsi nga Rama dhe mediat e tij e variantit të të sëmurit psiqik dëshmon se Gerti Shehu në vend të një hetimi të plotë e të paanshëm është nën mbrojtjen totale të Edi Ramës që ka porositur krimin e tij.

Unë akuzoj Edi Ramën si porositës të krimit sepse e vërteta është se për pacientin e Edi Ramës dhe klientin e Ardi Veliut nuk ekziston asnjë dokument shtetëror zyrtar që të faktojë se Gerti Shehu është një i sëmurë mendor i papërgjegjshëm.

Ekziston dokument që e shpall të përgjegjshëm dhe e dënon për goditjen e një personi tjetër. Çfarë e shtyn Edi Ramën të shpallë Gert Shehun nga kriminel në të sëmurë psiqik? I sëmuri dhe klienti e gjitoni deri para pak muajsh i Ardi Veliut është aq i sëmurë sa këtë vit ka rinovuar patentën, akt që nuk i lëshohet të sëmurëve psiqik. Klienti dhe gjitoni i Ardi Veliut ka marrë dhe kredi në banka, akt që nuk ndodh kurrë për një të sëmurë psiqik.