"Pakti për detin afër", Mitsotaqis: Optimistë se pala shqiptare do jetë bashkëpunuese

Kreu i qeverisë greke Qirjakos Micotaqis ka folur për marrëveshjen e detit me shqipërinë duke thënë se palët janë afër një kompromisi. Ai ka shtuar se vendimtar në këtë proces është qëndrimi që do të mbajë gjykata ndërkombëtare ndërsa ka shtuar se pret bashkëpunim nga pala shqiptare. 

Greqia dhe Shqipëria janë afër firmosjes së marrëveshjes për ndarjen e kufirit detar. Deklarata u bë nga kryeministri grek Qirjakos Mitsotaqis gjatë pjesëmarrjes së tij në samitin e BE me vendet e ballkanit.

"Do të diskutohet për çështjen e delimitimit të detit. Kemi shumë kopleksitete për këtë temë, por jam i sigurt se kemi bërë shumë progres në muajt e kaluar si rezultat i mirëkuptimit me kryeministrin Rama," tha ai.

Kreu i qeverisë greke, ka theksuar më tej se determinant në këtë proces, do të jetë vendimi i gjykatës ndërkombëtare ku palët kanë rënë dakord për ta paraqitur çështjen, në mungesë të një marrëveshje dypalëshe.

"Do ta zgjidhim këtë çështje në bazë të ligjit ndërkombëtar dhe mund të gjejmë një marrëveshje dhe do të firmosim një dokument që do të vendoset nga Gjykata Ndërkombëtare. Jemi optimistë se edhe pala shqiptare do të bëjë të sajën për arritjen e marrëveshjes," tha ai.

Në vitin 2009, qeveritw e dy vendeve u dakordësuan në një marrëveshje finale për ndarjen e kufirit në hapësirën detare, por një vit më vonë, pakti u shfuqizua nga gjykata kushtetuese e Shqipërisë. Bisedimet rifilluan mes qeverisë Rama dhe palës greke pas vitit 2018, por në vitin 2021, në mungesë të një drafti final të dakordësuar Tirana dhe athina ranë dakord për ta paraqitur çështjen në gjykatën ndërkombëtare.