“Mjerisht kështu vajti historia”, Çollaku: Pas 32 vitesh Shqipëria dilemë në Europë
Deputeti i PD Kreshnik Çollaku ishte në një intervistë në Ora Neës me gazetarin Everest Dedaj ku u kthye pas në kohë dhe kujtoi 8 dhjetorin e vitit 1990 si dhe e krahasoi atë ditë me të tashmen.
Kur ju protestonit kur ishi student a e kishi menduar se 32 vite më pas do të thuheshin të njëjtat thirrje “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”?
Kreshnik Çollaku: Kjo është dita që ka shënuar futjen time në politikë. Ishte 8 dhjetori 1990, 19 vjeç, ishim idealist, mbase pak naivë, entuziastë. Kurrë nuk do ta kisha imagjinuar që pas 32 vitesh do të jemi në dilemën nëse do të jemi në Europë apo jashtë Europës. Këtë ditë kurrë nuk do ta kisha menduar. Mjerisht kështu vajti historia. Po ashtu një gjë nuk më është ndarë nga mendja ditën e sotme. Kurrë nuk do ta kisha menduar që në vitin 2022 në nivelet më të larta të shtetit shqiptar ka ende individ të strukturave të Sigurimit të shtetit dhe për këtë e kam zhgënjim. Kjo është historia ne jemi ende këtu dhe çfarë të vret të bën më të fortë.
Sot përkujtohet 8 dhjetori, Dita e Rinisë në Shqipëri. Prej vitit 2009, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nder të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare kur më 8 dhjetor një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, banorë të qytetit “Studenti”, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike: protestave paqësore që sollën pluralizimin, rënien e komunizmit dhe lindjen e demokracisë.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
