Goditja me grusht e Berishës s'ka motiv, Gjykata lë në burg Gert Shehun për dy akuza
Përveç akuzës zyrtare për goditje për shkak të detyrës, prokuroria duket se nuk ka ende një motiv zyrtar në lidhje me shkakun e sulmit ndaj Sali Berishës. Në një seancë të zhvilluar në spitalin e Traumës autori Gerti Shehu u la në burg pa afat, por përfaqësuesi i prokurorisë nuk ka deklaruar para palëve motivin e ngjarjes. Nga ana tjetër avokati tha se ka kërkuar masë më të lehtë për klientin dhe kryerjen e një ekspertize të zgjeruar për gjendjen e tij mendore.
Gjykata e Tiranës cakton masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për Gert Shehun, 31 vjeçarin i cili në protestën e 6 dhjetorit 2022 hyri mes turmës dhe goditi me grusht Sali Berishën.
Kryetari i PD-së së bashku me kryetarin e Partisë së Lirisë dhe mbështetës të tjerë po shkonin në shesh për të protestuar ditën kur pak metra larg vendit ku ishte protesta mbahej samiti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Seanca u mbajt sot (9 dhjetor) tri ditë pas protestës së 6 dhjetorit në ambientet e spitalit të Traumës ku i arrestuari po mjekohet nga dëmtimet që mori si pasojë e goditjes nga turma dhe truprojat pasi qëlloi në fytyrë Sali Berishën.
Gert Shehu akuzohet për "goditje për shkak të detyrës" dhe "plagosje me dashje" në dëm të kryetarit të PD, Sali Berisha.
Avokati tha pas seancës se ka kërkuar masë më të lehtë për klientin dhe kryerjen e një ekspertize për gjendjen e tij psikologjike
Në lidhje me dëshminë e Gerti Shehut për goditjen e Berishës, avokati tha se 31-vjeçari është i paqartë.
Prokuroria duket se nuk ka dhënë ende një motiv për goditjen e Sali Berishës, çka u konfirmua edhe nga avokati i të arrestuarit.
“Shkaku e pasoja do të bëhet pasi të bëhet akt ekspertiza. Nuk e shoh që të jetë përdorur” tha avokati pas vendimit të masës së sigurisë.
Mbrojtësi ligjor pranoi se nuk kishte dorëzuar në prokurori apo gjykatë dokumentin që u bë publik menjëherë pas goditjes së Berishës në protestë
Krahas ekspertizës, avokati kërkoi që prokuroia e gjykata të vlerësojnë edhe deklaratën publike të Sali Berishës që kërkoi lirimin e Shehut, duke akuzuar Edi Ramën si autor të vërtetë të ngjarjes.
Përfaqësuesi i 31-vjecarit tha se deri në këtë fazë të hetimit nuk e di se me cilët persona shoqërohej klienti i tij duke mos qenë kështu në gjendje të përcaktojë nëse është përdorur për të kryer sulmin ndaj liderit demokrat.
E ndërsa gjykata jepte masën e sigurisë, në konferencën për media kryetari i PD-së akuzon Ramën se fshihet pas sulmit fizik.
Sali Berisha: "Edi Rama po e mbron se qëndron prapa skenarit. Sulmi fizik i porositur nga Edi Rama është sulm tërësisht i porositur”
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
