Mbi 3 mijë shqiptarë përfitojnë nga marrëveshja Shqipëri - Zvicër për pensionet

Parlamenti zviceran me shumicë votash miratoi së fundmi marrëveshjen për Sigurimet Shoqërore me Shqipërinë. Nga kjo marrëveshje përfitojnë rreth 3 mijë shqiptarë që jetojnë në Zvicër. E njëjta marrëveshje pritet të miratohet së shpejti edhe nga Italia, nga e cila pritet të përfitojnë më shumë se 500 mijë shqiptarë.

Parlamenti zviceran ka miratuar me 129 vota pro dhe 52 kundër marrëveshjen për Sigurimet Shoqërore me Shqipërinë.

Nga kjo marrëveshje e miratuar më 8 dhjetor, përfitojnë rreth 3 mijë shqiptarë që jetojnë në Zvicër. Marrëveshja e re dypalëshe formalizon marrëdhëniet e sigurimeve shoqërore midis Zvicrës dhe Shqipërisë. Ajo mbulon sigurimet për moshën e tretë, si dhe për mbijetuesit dhe invalidët, dhe përputhet me standardet ndërkombëtare për koordinimin e sistemeve të sigurimeve shoqërore.

Marrëveshja siguron që shtetasit zviceranë dhe shqiptarë të marrin trajtim të barabartë përsa i përket të drejtave për sigurime shoqërore, lehtëson qasjen ndaj këtyre përfitimeve dhe lejon që pensionet të paguhen edhe jashtë vendit.

Ajo gjithashtu vendos themelet për një bashkëpunim dypalësh për të luftuar mashtrimet dhe abuzimet me sigurimet shoqërore.

Së fundmi, marrëveshja lehtëson lëvizshmërinë e shtetasve zviceranë dhe shqiptarë dhe i mbron ata ndaj kontributeve të dyfishta të sigurimeve shoqërore. Marrëveshja do të hyjë në fuqi sapo të miratohet nga parlamentet e të dy vendeve. E njëjta marrëveshje pritet të miratohet së shpejti edhe nga Italia.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Në kuadër të marrëveshjeve për Sigurimet Shoqërore, Shqipëria ka përfunduar në gusht negocimin teknik të marrëveshjeve me pensionet me Italinë. Marrëveshja për njohjen e viteve të punës i vjen në ndihmë 500 mijë shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Itali.

Për këto vendime do të reagonte edhe vetë kryeministri Edi Rama i cili pasi falënderoi qeverinë zvicerane, parlamentarët zviceranë dhe ekipet teknike të përbashkëta, u shpreh se në samitin e BE-së të mbajtur në Tiranë më 6 dhjetor, kryeministrja italiane Giorgia Meloni i premtoi se shumë shpejt do të nënshkruhet marrëveshja për njohjen e pensioneve në Itali edhe nga parlamëntarët italianë.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.