Ndotja nga ngrohja me dru, Korça dhe Pogradeci në situatë alarmante

Korça dhe Pogradeci rezultojnë dy qytetet me ajrin më të ndotur përgjatë periudhës së dimrit si pasojë e ngrohjes me dru. Ekspertët thonë se institucionet qëndrore dhe lokale duhet të marrin masa efektive sa i përket uljes së ndotjes atje.

Oxhakët me dru janë zgjedhja e vetme e qytetarëve në Korçë dhe Pogradec  për tu ngrohur gjatë dimrit.

Por, pavarësisht se është një zgjidhje efektive për qytetarët, duket se tymi që shkaktohet gjatë dimrit  krijon një ndotje alarmante në këto qytete.

Sipas specialistëve nga të dhënat që ekzistojnë rezulton se ndotja është dy herë  më e lartë nga niveli i përcaktuar nga BE.

"Duhet të marrin monitorime për cilësinë e ajrit, të bëjnë një plan veprimesh për këtë situatë sidomos në periudhën e dimrit," tha Kristi Bashmili, ekspert mjedisi.

Teksa ngrohja me dru është e vetmja alternativë për t'i bërë ballë të ftohtit në Qarkun e Korçës, propozohet që të investohet në sisteme të tjera si ato të ventilimit apo nga sistemi kapot në pallatet e vjetra, që duhet të kryhen nga bashkitë me qëllim mbajtjen e ambjenteve më të ngrohta dhe uljen e konsumit të drurit.

"Rritja e performancën energjetike në stokun e banesave që do të sjellë mundësinë për të harxhuar më pak lëndë drusore duke shkarkuar më pak ndotës në atmosferë," tha ai.

Në raportin e kostove që shkakton ndotja e ajrit në shëndetin e njerëzve, Banka Botërore përllogariti se në Shqipëri, gjatë vitit 2019, kishin humbur jetën 2,257 persona si pasojë e ndotjes së mjedisit të jashtëm dhe brenda shtëpisë.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.