Zgjedhjet vendore, Duka mbështet Berishën, PAA kandidon vetëm për këshillat bashkiakë
Partia Agrare Ambientaliste e Agron Dukës do të mbështesë kandidatët e Partisë Demorkatike të Sali Berishës në zgjedhjet e 14 majit të 2023. Nga Lezha, Duka tha se do të kandidojë vetëm për këshillat bashkiakë, ndërkohë ish-prefekti Gjok Jaku e ka braktisur Partinë Socialiste dhe i është bashkuar opozitës.
Partia Agrare Ambjentaliste do të mbështesë kandidatët e Partisë Demokratike në zgjedhjet vendore të 14 majit të vitit 2023.
Kështu u shpreh kryetari i PAA-së, Agron Duka, gjatë një takimi me strukturat e kësaj force politike në Lezhë.
Sipas Dukës, opozita duhet të dalë me një kandidaturë të vetme në zgjedhjet vendore, që të arrijë sukses përballë mazhorancës aktuale, e cila ka kapur të gjithë institucionet.
Duka: PAA del me listë të kandidatëve të saj për këshilltarë bashkiakë sepse nëse futet në aleancë formalisht me opozitën atëherë duhet patjetër që të ketë një listë bashkë me opozitën. Kjo na penalizon.
Në këtë takim krah Agron Dukës, ishte dhe ish-prefekti i qarkut të Lezhës Gjok Jaku, i cili e ka braktisur Partinë Socialiste dhe do të jetë kordinator i PAA-së në Lezhë.
Jaku: Ky është rasti që PAA me përfaqësuesit e saj më të mirë dhe jam i bindur në këtë që them pasi në kontaktet e derisotme konstatoj se ka një dëshirë të mirë për tu afruar pranë saj, kryesisht djem të rinj, do të përbëjnë përfaqësuesit tanë në këshillat bashkiakë.
Synimi i Partisë Agrare Ambjentaliste është që të marrë këshilltarë në të gjithë bashkitë e vendit në zgjedhjet e ardhshme vendore.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
