Sulmi ndaj Berishës, opozita akuzon kryeministrin, Garo: Rama, Çuçi dhe Veliu po manipulojnë provat
Opozita vazhdon të fajësojë Edi Ramën si përgjegjësin e sulmit ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Sipas zëdhënëses së PD-së, drejtori i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Ardi Veliu, ka manipuluar ngjarjen e së martës me urdhër të kryeministrit.
Garo: Pas sulmit brutal fizik me motive politike kundër Kryetarit të Partisë Demokratike Prof Dr Sali Berisha nga informatori i policisë kriminale, Gerti Shehu, porositësit dhe organizatorët e këtij akti kriminal, Edi Rama dhe ministri i tij i familjes Bledi Çuçi, kanë vënë në lëvizje të gjithë makinerinë e mashtrimeve për të mbuluar aktin. Për këtë qëllim ata po bëjnë gjithçka për të mbrojtur kriminelin Gerti Shehu, informator i policisë kriminale, dhe për ta çliruar atë nga barra e krimit të porositur duke e paraqitur si të sëmurë psiqik, dhe aktin e tij kriminal si veprën e një të sëmuri psiqik.
Por në këtë përpjekje ata janë të dështuar plotësisht. Me gjithë përpjekjet e Ardi Veliut për të manipuluar dhe falsifikuar çdo gjë, gjer sot nuk kanë paraqitur dot asnjë dokument zyrtar, asnjë vendim gjykate, se krimineli Gerti Shehu është i papërgjegjeshëm apo i sëmurë psiqik i degraduar. Dokumenti që ata përdorin për të provuar problemet psiqike të kriminelit Gerti Shehu, sipas ligjeve të vendit nuk ka asnjë vlerë ligjore. Dokumenti i përdor nga Fuga nuk ka asnjë vlere ligjore, pasi nuk ka, siç e kërkon ligji, asnjë firme apo vule të institucioneve publike të autorizuara për dokumente të kësaj rëndësie.
Edhe Partia e Lirisë ka reaguar duke i bërë apel drejtësisë që të zbardhë ngjarjen sa më shpejt.
Deputeti, Petrit Vasili, fajësoi gjithashtu kryeministrin Rama dhe tha se kjo ngjarje përcjell imazhin më të keq në Europë.
Vasili: Edi Rama tregoi dje se si armik i paqes dhe qetësisë së shqiptarëve nuk ndalet para asnjë lloj provokimi vetëm për të shtyrë, disa ditë e orë në pushtet. Provokimi shumë i rëndë me goditjen e liderit Sali Berisha, pikërisht në ditën kur përfaqësuesit e lartë europianë ndodheshin në Tiranë ishte mesazhi më i egër kundër Europës kundër pluralizmit shqiptar dhe kundër shumicës dërmuese të shqiptarëve që duan të jetojnë si europiane me punë të ndershme dhe në atdheun e tyre. I bëjmë një thirrje shumë të fortë drejtësisë, të jetë e shpejtë, objektive e gjithanshme e të kryejë deri në fund çdo veprim ligjor e procedurial që determinon zbardhjen e plotë e të menjëhershme të së vërtetës.
Kryedemokrati Sali Berisha u sulmua nga Gert Shehu gjatë protestës që po mbahej në të njëjtën kohë me samitin e BE me Ballkanin Perëndimor.
I riu me origjinë nga Tepelena rezulton me probleme të shëndetit mendor, ndërsa policia tha se ka edhe precedentë për plagosje dhe çështje droge.
Kreu i Partisë Demokratike kërkoi lirimin e Gert Shehut dhe akuzoi direkt Edi Ramën si autor të atij akti.
Sipas Berishës, incidenti ishte përpjekja e fundit e regjimit për të penguar protestën e opozitës.
