“Samiti me faturë miliona euro” Çoçoli: Përfitimi dhjetëra herë më i madh, mjafton vullneti i qeverisë
Fatos Çoçoli ekspert i ekonomisë në një intervistë për RTV Ora me gazetaren Besmira Pelushaj ka folur rreth samitit të organizuar ditën e djeshme në Tiranë mes BE dhe vendeve të Ballkanit.
Çoçoli foli rreth përfitimeve ekonomike që ka Shqipëria nga zhvillimi i këtij samiti.
Çfarë përfitoi Shqipëria nga pikëpamja ekonomike?
Fatos Çoçoli: Përtej një aktiviteti të bukur duhet të shohim dhe dobitë tona. Marrëveshja Roaming nuk na sjell ndonjë dobi të madhe. Emigrantët komunikojnë përmes ëhatsapp që nuk kushton shumë. Në nivel të thirrjeve telefonike nuk besoj se do të kalojë 3 deri në 4 milion euro. Ndonjë përmirësim të madh të buxhetit në familjet tona nuk sjell. Përfitimi i menjëhershëm është gjysmë miliardi euro që janë duke u dhënë dhuratë për përballimin e krizës ekonomike. 1 miliard euro ka të bëjë me projekte të energjisë së rinovueshme dhe është për të gjithë rajonin. Është mirë që të kemi projekte sa më cilësore sa më konkurruese.
Çfarë ka ndodhur në të kaluarën?
Fatos Çoçoli: Nuk kemi arritur të përfitojmë. Ne duhet të këmbëngulim fort në gjetjen e ekspertëve. Jemi në garë dhe me cilësinë dhe me kohën. Ndikon dhe rritja e imazhit. Aktivitetin e djeshëm ishin mediat më me zë dhe ka qenë një organizim i mirë.
Jemi të përgatitur për të përfituar nga projektet?
Fatos Çoçoli: Nuk jemi të gatshëm. Gjykoj se do të jenë grupe të punës me ekspertë që do ta realizojnë këtë. Ftoj qeverinë të hedh për diskutim publik projektet që ka gati. Gjithçka duhet të rigjenerohet. Është momenti për qeverinë tonë të përfitojë si duhet. Duhet investuar për rrugët që dhe investitorët të vijnë.
Çfarë fature financiare ka ky samit për Shqipërinë?
Fatos Çoçoli: Ka një faturë të lartë. Është disa miliona euro por përfitimi është dhjetëra herë më i madh. Mjafton vullneti i qeverisë sonë.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
