Klodian Zoto pagoi avionin dhe hotelin në Romë për anëtaren e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave e vajzën e saj
Biznesmenët e incineratorëve, Klodian Zoto e Mirel Mërtiri, u kanë ofruar rryshfet zyrtarëve të shtetit, përmes biletave të udhëtimit dhe qëndrimit në hotel jashtë vendit. SPAK, ka thelluar duke zbardhur një tjetër rast pagesash, të përfituara nga anëtarja e Komisisionit të Vlerësimit të Ofertave, Etleva Kondi. Kjo e fundit ka udhëtuar e qëndruar në Romë për disa ditë dhe më pas është kthyer në Shqipëri, në vitin 2016 me shpenzime të paguara nga aksioneri i kompanisë që fitoi incineratorin e Fierit.
Arkitekti dhe ndërtuesi, Arben Dervishaj nuk është i vetmi që mori përfitime dhe bonuse udhëtimesh për të parë ndeshje luksi në Itali nga bosët e incineratorëve.
Në dosjen e siguruar nga RTV Ora , SPAK zbulon se edhe anëtarja e Komisionit të Dhënies së Koncesionit, Etleva Kondi, ka udhëtuar me vajzën në shkurt të vitit 2016, ndërkohë që pagesat janë bërë nga Klodian Zoto.
Kondi, bashkë me të bijën, qëndruan në Romë në të njëjtin hotel me Mirel Mërtirin dhe Arenc Myrtezanin, por janë kthyer me ta në të njëjtin fluturim drejt Shqipërisë.
Vetëm për Etleva Kondin, Klodian Zoto pagoi 842,74 euro për qëndrimin në hotel.
Pagesat janë kryer ndaj saj, në kohën kur ajo ishte anëtare e Komisionit të Dhënies së Koncesionit, ku ajo kishte për detyrë të shqyrtonte dhe analizonte dokumentacionin që dorëzonin operatorët ekonomikë, përsa i përket procedurës së dhënies së koncesionit të inceneratorit të Fierit.
Prokuroria ka sjelle si prove kqyrjen e sistemit ku rezulton se me datë 26.02.2016 anëtarja e Komisionit të Dhënies së Koncesionit, shtetësja Etleva Kondi, ka udhëtuar me vajzën e saj, Evita Kondi, nga Aeroporti i Rinasit, Tiranë, me linjën ajrore "Alitalia" për në qytetin e Romës.
Me datë 28.02.2016 shtetasja Etleva Kondi, së bashku me vajzën e saj, është kthyer për në Shqipëri me linjën ajrore "Alitalia", nga qyteti i Romës, së bashku me shtetasit Mirel Mërtiri dhe Arenc Myrtezani, ky i fundit më vonë është bërë administrator i shoqërisë koncesionare "Integrated Technology Ëaste Treatmnet Fier" sh.p.k.
Në material thuhet se “biletat e fluturimit për shtetasen Etleva Kondi dhe vajzën e saj, janë paguar nga shtetasi Klodian Zoto, në vlerën totale prej 618 euro.
Gjithashtu rezulton se anëtarja e Komisionit të Dhënies së Koncesionit, së bashku me vajzën e saj kanë qëndruar në të njëjtin hotel me shtetasit Mirel Mertiri si dhe Arenc Myrtezani, tek hotel "Baglioni Hotel Regina", nga data 26.02.2016 deri në datë 28.02.2016 dhe pagesa e qëndrimit në këtë hotel për të gjithë këta persona, është bërë nga shtetasi Klodian Zoto, në vlerën totale prej 1689.18 euro, ndërsa vlera e qëndrimit tek ky hotel vetëm për anëtaren e Komisionit të Dhënies së Koncesionit, shtetasen Etleva Kondi, ka qenë 842,74 Euro.
Zyrtarja i ka përfituar këto pagesa në kohën kur po shqyrtonte dhe analizonte dokumentacionin, përsa i përket procedurës së dhënies së koncesionit me objekt: "Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane, të Qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë", ku më pas është shpallur fituese shoqëria "Integrated Technology Waste Treatment Fier", sh.p.k., një ndër aksionerët është edhe shtetasi Klodian Zoto.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

