1.5 mln euro për një kompani, Spitali i Traumës përzgjedh të njëjtin fitues dy herë pa garë

Spitali Ushtarak ka zhvilluar së fundi dy tendera me vlerë 1.5 milionë euro, me procedurë të dyshimtë. Përveçse procedurat janë zhvilluar pa garë, në të dy rastet është kualifikuar fituese e njëjta kompani.

Tenderët pa garë duket se janë kthyer në një metodë e zakonshme për institucionet. Spitali Universitar i Traumës, në dy prokurimet e ka shpallur fituesin pa konkurrim duke kualifikuar të njëjtën kompani.

Për dy prokurimet, institucioni që drejtohet nga Edlira Bode, do të shpenzojë në total 175 milionë lekë, ose rreth 1.5 milionë euro.

Konkretisht, loti i parë për blerjen e materialeve të mjekimit për shërbimin e neurokirurgjisë kap vlerën e 1.3 milionë euro.

Në këtë tender ka marrë pjesë vetëm subjekti “O.E.S DISTRIMED”, e cila është shpallur dhe fituese pa garë.

Kompania ka kërkuar sa 99.7% të vlerës së tenderit për të blerë materialet për 2 vite që nga nënshkrimi i kontratës.

Edhe në lotin e dytë për blerjen e materialeve për shërbimin e kirurgjisë maxilofaciale, ka marrë pjesë sërish vetëm kompania “O.E.S DISTRIMED”, e cila është shpallur sërish fituese.

Vlera e tenderit është 181 mijë euro, ndërsa kompania fituese në këtë tender ka kërkuar sa 99.9% të vlerës së tenderit për të blerë materialet për 2 vite që nga nënshkrimi i kontratës.

Dy prokurimet nuk janë rasti i vetëm që zhvillohen me procedura të dyshimta, pasi në datën 25 Ministria e Shëndetësisë shpalli 4 tendera me vlerë 5.4 milionë euro dhe fituese ishte vetëm një kompani.

Shënim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.