Skandali me incineratorin e Fierit, 6 nga të dyshuarit u arratisën

Pesë personat e arrestuar për incineratorin e Fierit u lanë në masën "arrest me burg" deri në përfundim të hetimeve.

Seanca u zhvillua në Gjykatën e Posaçme ku gjyqtarja ka lënë të pandryshuar masën e marrë më herët ndaj të hetuarve Arben Dervishaj, Regan Merdani, Gentian Zifla, Robert Shabani dhe Enver Sheshi.

Në fuqi mbetën edhe masat e arrestit për 6 personat e tjerë, të cilat nuk janë ekzekutuar pasi nuk janë gjetur në banesë nga policia.

Bëhet fjalë për shtetasit Arbër Denizi, Juri Ymeraj, Silvester Dreza, Luran Dusha, Arjola Kodra dhe Giuseppe Ciaffaglione.

Për Arjola Kodrën, administratorja  e incineratorit të Tiranës, është vendosur masa "arrest në shtëpi" por nga verifikimet është zbuluar se Kodra dhe personat e  tjerë sëbashku me shtetasin italian janë larguar më parë nga Shqipëria.

Pas vendimit të gjykatës ka reaguar avokati i Arben Dervishaj, Sokol Hazizaj, i cili ironizoi vendimin dhe pretendoi se klienti i tij nuk ka kryer asnjë shkelje ligjore.

"Ne të gjithë sëbashku do marrim një nismë ligjore, një ndryshim në kodin e procedurës penale ku masë shtrënguese për çdo dyshim të jetë vetëm burgu. Të gjitha situacionet janë në përputhje me kontratën për të cilën ai ka ngritur dhe incineratori i Fierit është atje mund ta shikoni, ta filmoni."

Avokati i njërit prej të akuzuarve në mungesë tha se klienti i tij Juri Ymeraj është larguar për arsye shëndetësore jashtë Shqipërisë.

Ai pretendoi se klienti i tij nuk ka kryer asnjë shkelje, ndërsa e kishte përmbushur kontratën për incineratorin.

"Bëhet fjalë për përfshirjen e tij në një skemë me zotin Koka, arsyet për ne janë krejtësisht të paqena dhe të paqëndrueshme."

Deri tani numri i personave të proceduar për incineratorin e Fierit ka shkuar në 20, ndërkohë prokuroria ka përfunduar hetimet për incineratorin e Elbasanit, ku ka marrë të pandehur dhe ish-sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako si dhe Mirel Mërtirin, bashkëjetuesin e Stela Gugalles.