"Blerje me kokrra jo me kg", qytetarët: Kemi harruar të blejmë në sasi, nuk i përballojmë dot
4 patate e po aq kokrra domate. Me kokrra e jo kilogramë i blen perimet muajt e fundit, kjo zonjë nga Tirana.
“Perimet i marrim me kokrra. Fshati që duket s’do kallaus goce... Ka ardhur fundi,” thotë një qytetare.
Për të, rritja e çmimeve dhe pamjaftueshmëria e pensionit, e detyrojnë shpesh që të kërkojë borxh.
"Nuk përballohet, çdo muaj futem 100 mijë lekë borxh, plus ilaçet, tani sa mora ilaçe për stomakun,” thotë ajo.
Të tjerë qytetarë thonë po ashtu, se kanë harruar të blejnë në sasi.
Marrin perime sa për një vakt.
“Marrim dy kokrra domate, dy kokrra speca, kështu i marim.
Pesë kokrra, përse të gënjej, nuk kemi mundësi më tepër.
Ku marim ne me kilogram, me kokrra, s’ka, dy kokrra, tre kokrra,” thone ata.
Disa përshkojnë me këmbë gjithë tregun. Ndalojnë në tezgat ku sytë ju ndeshin çmimet më të lira.
“Nuk kanë lekë të blejnë, me duar në xhepa vijnë me duar në xhepa ikin.Unë me bashkëshorten marrë 200 mijë lekë gjithsej në muaj, ç’farë do të ble me ato? Vijmë i shikojm dhe ikim," thonë ata.
Shikojnë ku është më ulët të marrin.
Thonë se kanë kohë që në tryezat e tyre mungojnë, mishi e frutat.
“Mishi 14 mijë lekë kg, a merret mishi?
Fruta nuk fus në shtëpi, mish as bëhet llaf ta blej, nuk më del,” tha një tjetër.
Por më të vështirë përballimin e çmimeve, e kanë pensionistët dhe personat që marrin pagesë invaliditeti apo ndihmë ekonomike.
“Ne që jemi pensionistë e kemi më vështirë ti marim gjërat.
Me një kemp që marr unë 7300 lekë, je i mbaruar,” thanë ata.
Tregtarët, çmimet i vlerësojnë të lira, krahasuar me të njëjtën periudhë të viteve të shkuara, por thonë se xhepat e konsumatorëve janë bosh.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.