Fasada e Veliajt me prerje shiritash, inaugurimi i nxituar bashkë me Ramën, shkolla pa laborator IT

Shkollat në kryeqytet, qoftë ato ekzistueset, apo edhe ato të inauguruara së fundmi me ceremoni qeveritare dhe me prezencën e kryeministrit, ministrave dhe kryebashkiakut, kanë probleme sapo nga ambientet largohen pushtetarët. Nxënësit e shkollës “Klodian Tanushi”, e cila u inaugurua një muaj më parë, thonë se orën e teknologjisë nuk e kryejnë në laborator, pasi në të nuk punojnë kompjuterat.

Kryeministri Edi Rama dhe Kryebashkiaku Erion Veliaj duket se i kanë nxituar punimet për inaugurimin sa më parë të Shkollës 9 vjeçare “Klodian Tanushi” në Qesarakë të kryeqytetit.

Kur ka kaluar afro një muaj nga prerja e shiritit të shkollës në fjalë, nxënësit thonë se lëndën e informatikës e zhvillojnë teorikisht dhe shumë pak përdorin laboratorin e kompjuterëve.

“Nuk kemi. Nuk ka çuar në klasën e kompjuterave, nuk janë vënë akoma.”

“Kompjuterat, thonë nxënësit, nuk punojnë të gjithë.”

“Mësuesja na ka thënë se nuk janë lidhur akoma kompjuterat dhe e bëjmë në klasë mësimin.”

Në mungesë të laboratorit, ata e ndjekin mësimin nga kompjuteri i mësueses.

“E bëjmë në klasë dhe na e bën zysha në klasë me video-projektor.”

Shkolla "Klodian Tanushi” është një nga 12 të tilla që janë premtuar se do të ndërtohen gjatë këtij viti, dhe nxitimi për realizimin e normës duket se po lë mangësi në këto institucione.

Shënim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.