Vrasja te Kodra e Diellit implikon dhe dy shtetas nga Peja, i siguruan autorit makinën për vrasjen
Zbardhet vrasja e 39-vjeçarit Briken Sanaj nga Lezha, ngjarje e ndodhur një muaj më parë (30 tetor), te Kodra e Diellit në Tiranë.
Bazuar në provat e sigurura, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë, për shtetasin Vladimir (Valmir) Kola, 39 vjeç, lindur në Pukë dhe banues në Shëngjin, autori i dyshuar i vrasjes.
Ai akuzohet për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
E njëjta masë është dhënë dhe për dy shtetas të tjerë për përkrahje të autorit të krimit dhe moskallëzim krimi, përkatësisht:
-Gjelosh Krasniqi, 49 vjeç, lindur dhe banues në Peje, i dyshuar pë veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”;
-Kened Antoni, 25 vjeç, lindur dhe banues në Pejë, i dyshuar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Policia thotë se po bashkëpunohet ngushtësisht me policitë homologe, të Kosovës dhe të Malit të Zi, për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera nga policia në funksion të procedimit penal të vitit 2022, ka rezultuar se "shtetasi kosovar Kened Antoni i ka shitur automjetin Mercedes Benz shtetasit tjetër kosovar Gjelosh Krasniqi, më datë 24.10.2022, dhe po në këtë datë, këta shtetas e kanë futur këtë automjet në territorin e Shqipërisë dhe ia kanë vënë atë në dispozicion shtetasit Vladimir (Valmir) Kola, i cili e ka përdorur automjetin për realizimin e vrasjes së shtetasit Briken Sanaj. Pas ngjarjes, autori i dyshuar e ka djegur automjetin, në rrugën dytësore Tiranë-Durrës, së bashku me armën e krimit.Për autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje janë kryer kërkime, si dhe është bërë shpallja në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar e tyre dhe në bashkëpunim me policitë homogole, po punohet për lokalizimin dhe kapjen e tyre".

Në cilësinë e provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar 4 automjete të përdorura nga autori i dyshuar, para dhe pas ngjarjes, 10 aparate celulare, si dhe pamje filmike që i shërbejnë hetimit.
Materialet i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.