Arrestohet rrëmbyesi i Jan Prengës, qëndronte në Spanjë me kartë identiteti bullgare

Arrestohet në Spanjë, Gentian Doçi, një nga të akuzuarit për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës në janar të vitit 2020 për prishje të pazareve të drogës. 40-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”. Tashme pritet ekstradimi i tij në Shqipëri.

Arrestohet në Spanjë, Gentjan Funiqi (Doçi) alias Gentjan Martini, alias Festim Olomani, 40 vjeç, nga Shkodra.

Doçi, pjesë e bandës së Dukagjinit, ishte shpallur në kërkim si një prej urdhëruesve të pengmarrjes së Jan Prengës në janar të 2020.  

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale "Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit", kryer në bashkëpunim dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe e municionit".

Operacioni policor i koduar “Seville" u zhvillua nga Policia spanjolle, në bashkëpunim me Policinë shqiptare.  

I shumëkërkuari qarkullonte në Spanjë, me dokumente të falsifikuara.  Në momentin e kapjes nga Policia, mbante një kartë identiteti bullgare të falsifikuar, me gjeneralitete Rayko Ivanov dhe një sasi lënde narkotike, të cilat janë sekuestruar nga Policia.

Interpol Tirana thotë se po punon për ekstradimin e këtij shtetasi drejt vendit tonë.

Në ngjarjen e vrasjes dhe zhdukjes së Jan Prengës, të përfshirë ishin dhe Artan Doçi, vëllai i Gentjan Doçit si dhe Ardian Doçi, i cili u vetëdorëzua në kufi dhe madje OFL i sekuestroi edhe pasurinë. 

Trupi i Jan Prengës nuk është gjetur ende dhe sot. Zanafilla e ngjarjes nisi me vëllain e tij, Anton Prenga, i cili kishte bllokuar mbi 100 kg kokainë në Angli, në pronësi të shqiptarit të burgosur në Ekuador, Dritan Rexhepi.

Ky i fundit dyshohet se kërkoi pengmarrjen e Jan Prengës si presion për të liruar ngarkesën, por që më vonë trupi i këtij të fundit nuk është gjetur më.