I kërkuar nga Shqipëria dhe Belgjika për vepra të rënda penale, arrestohet në Holandë Eljo Bitri

I shumërkuari nga drejtësia shqiptare dhe ajo belge, Eljo Bitri është arrestuar nga policia holandeze ndërsa qarkullonte me pistoletë me silenciator. Ai akuzohet nga SPAK për një seri vrasjesh të bujshme në Elbasan dhe Durrës, ndërsa drejtësia belge kishte lëshuar urdhërarrestin për vrasje me paramendim.

Autoritetet holandeze i vunë prangat 35-vjeçarit nga Elbasani, Eljo (Ervis) Bitri alias Bledar Debrova, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Ai ishte në listën e 14 personave të shpallur në kërkim nga SPAK në maj të këtij viti në kuadër të operacionit "Plumbi i Artë".

Ai akuzohet për implikim në vepra të rënda penale si vrasje, vjedhje me dhunë dhe shkatërrim i pronës me eksploziv.

Janë 7 episode të ndodhura mes të cilave sulmi ndaj Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdiajt, Emiljano Ramazanit, Sokol Sanxhaktarit dhe sulmi me eksploziv i banesës së Talo Çelës.

35-vjeçari u arrestua në Leiden të Holandës ndërsa qarkullonte me armë zjarri pistoletë me silenciator dhe me dokument me identitet tjetër.   

Interpol Tirana dhe Interpoli në Hagë kryen verifikimet dhe pas krahasimit të gjurmëve të gishtave, u bë arrestimi provizor i tij, me qëllim ekstradimi. 

Gjithashtu, shtetasi Eljo (Ervis) Bitri alias Bledar Debrova, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar edhe nga Belgjika, pasi Gjykata e Shkallës së Parë në Bruksel, Belgjikë, më datë 31 maj 2022 ka lëshuar ndaj këtij shtetasi urdhër arrestin për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, parashikuar nga Kodi Penal i Belgjikës (maksimumi i dënimit burgim i përjetshëm).

Në dëshminë që Nuredin Dumani ka dhënë në SPAK ka treguar dhe për planin e vrasjes së Florenc Çapjas në Elbasan dhe shkatërrimin me tritol të banesës së Talo Çelës me 5 nëntor 2020 në Elbasan.

Plani për të hedhur në erë shtëpinë e Talo Çelës erdhi pasi ky i fundit tentoi të vriste Florenc Çapjan.

Eljo është vëllai i Lulëzim Bitrit që mbeti i vrarë në tetor të vitit 2021 sëbashku me Ardian Çollakun në Elbasan.

35-vjeçari dyshohet se ka pasur rolin e vëzhguesit në vrasjen e Endrit Alibej, dajës së tij Arben Dylgjerit dhe shtetasit turk Erdal Dyranay, ngjarje e ndodhur në vitin 2018.