Vrasja e Briken Sanaj u planifikua në një lokal në Lezhë, viktima u mbajt në vëzhgim, autori fshehu armën te vila
Zbardhen detaje të reja nga organizimi i vrasjes së Briken Sanaj në zonën e "Kodrës së Diellit" në Tiranë, ngjarje e ndodhur me 30 tetor.
Burime për Ora News bëjnë me dije se i gjithë takimi për të thurur planin për eleminimin fizik të Briken Sanaj ka ndodhur në një lokal në zonën e Lezhës.
Ky takim është zhvilluar mes autorit të dyshuar të ngjarjes, Vladimir (Valmir) Kola, 39 vjeç, bashkëpunëtorëve të tij dhe tregtarit nga Kosova.
Autori i dyshuar është siguruar që të mos pikaset nga kamerat e sigurisë ku ka fikur DVR e kamerave të sigurisë.
Një person i familjes Kola, thonë burimet, ka vizituar disa herë vilën në zonën e "Kodrës së Diellit", ku qëndronte Briken Sanaj.
Ky person gjatë dy momenteve që ka shkuar për të studiuar terrenin ka përdorur taksi dhe mjet X5 gjatë këtyrë udhëtimeve para vrasjes.
Autori ka arritur të fshehë pranë vilës, në zgavrën e një peme edhe armën e krimit që do ta përdorte më pas për ekzekutimin.
Sipas informacioneve ndjekia e viktimës është kryer nga dy persona që lëviznin me mjetin tip "Audi" me targa spanjolle, të cilët u vunë pas viktimës që në Lezhë.
Mjeti me targa spanjolle i përket pikërisht një anëtari të familjes Kola.
Pasi ka kryer krimin, autori largohet në këmbë me çantën e zezë ku kishte fshehur armën kallashnikov, më pas merr automjetin "Mercedes Benz" që e kishte siguruar nga dy shtetasit nga Peja, Kened Antoni dhe Gjelosh Krasniqi, të shpallur në kërkim nga policia dhe shkon deri në rrugën dytësore Tiranë-Durrës, ku e prisnin bashkëpunëtorët.
Aty Kola djeg automjetin sëbashku me armën e krimit.

