Moti i keq përfshin vendin: Probleme me energjinë në juglindje, rrëshqitje dherash në veri

Reshjet e shiut dhe dëborës që nisën të martën kanë shkaktuar vështirësitë e para të Dimrit në fshatrat malore të juglindjes.

3 fshatra në Leskovik të Kolonjës, 5 fshatra në Lekas të Korçës e 5 fshatra të tjerë në Dardhas të Pogradecit kanë probleme me furnizimin me energji elektrike ketë të mërkurë.

Prej orëve të mbrëmjes, ndërprerje të vazhdueshme të energjisë ka edhe në fshatra të Bashkisë së Maliqit.

Grupe të OSHEE-së janë në terren duke punuar për riparimin e defekteve dhe rikthimin e energjisë elektrike.

Rreth 25 fshatra kanë raportuar probleme me energjinë elektrike edhe në qarkun e Gjirokastrës, ku rruga Picar-Kolonjë u bllokua për shkak të rënies së inerteve.

Në qarkun e Kukësit, më në verilindje, fshatrat malore përballën me mungesë energjie dhe rrëshqitje në rrugë.

Në Tropojë rezervuari në fshatin Zherkë, në njësinë Bytyq mbetet problematic për shkak të rrëshqitjes së tokës.

Këto pamje ndërkohë viojnë nga njësia Administrive Qelëz në Pukë, ku reshjet e shiut kanë shkaktuar rrëshqitje dherash e  për pasojë kanë dëmtuar rrugët rurale.

Dëme në infrastrukturë ka edhe në bashkitë e tjera të qarkut të Shkodrës, ku reshjet e shiut vijojnë me intensitet të lartë.

Nuk ka pasur probleme përsa i përket përmbyjtjeve në fushën e Maliqit, kjo ka ardhur edhe për faktin se i gjithë sistemi kullues dhe ai i hidrovoreve ka punuar normalisht.