Përkeqësohet situata e përmbytjeve: 1435 ha tokë nën ujë në Shkodër, 16 familje të evakuara
Situata e përmbytjeve në vendin tonë është përkeqësuar për shkak të reshjeve të orëve të fundit. Në Shkodër dhe në Lezhë qindra hektarë tokë janë ende nën ujë, ndërsa në këto dy qarqe ka edhe shtëpi që janë të përmbytura.
Reshjet e rëna orët e fundit kanë sjellë përkeqësim të situatës së përmbytjeve në Shkodër e Lezhe.
Rreth 1400 hektarë tokë përllogariten se ishin nën ujë të mërkurën.
Nënshkodra është zona më e prekur nga përmbytjet.
Kryeplaku i fshatit Kuç, shpehet se hapja e digave bëri që uji të vërshonte menjëherë duke mos u lënë mundësi banorëve që të mbroheshin.
"Në datë 20 ora 20:30 ka ardhur uji në mënyrë katastrofale. Për 20 minuta ka ardh uji e nuk na ka lënë me bë lëvizjen më të vogël.
Ne jemi një fshat blegtoral bujqësor. Gjithë familjet këtu jetojnë me blegtori dhe bujqësi. Kemi dëme katastrofike," tha ai.
Premtimet për ndërtimin e pritave nuk janë bërë asnjëherë realitet.
Ndërkohë rreth 60 centimetra ujë ndodhen në rrugën e Obotit dhe ujësjellësit janë jashtë funksionit.
16 familje me rreth 70 persona nga disa fshatra ende janë të evakuar dhe po streohen në kovinkte ose pranë familarëve.
Situatë e njëjtë paraqitet edhe në Lezhë. Këto pamje vijnë nga fusha e Torovicës .
Niveli i ujit në rrugë ka shkuar deri në 1 metër dhe lëvizja mund të bëhet vetem me automjete të larta.
Banorët thonë se askush nuk ju ka ardhur në ndihmë dhe se kanë nevoje për bazë ushqimore për vete dhe gjënë e gjallë.
"Si të lëvizim ne mes malit e ujit. Kjo është të vdesësh, torturë.
Shumica janë në ujë. Kush ka shtëpi në mal, ku mundësi ti çojë atje," thonë banorët.
“ Këtu jemi te hidrovori i Balldrenit, një hidrovor i cili është në gjendje pune por nuk e kryen funksionin 100% të tij,” tha Petrit Gjoni ekspert bujqësie dhe kullimi.
Hidrovori i Balldrenit është një ndër shkaqet e situatës atje.
Sipas të dhënave zyrtare të emergjencave, gjatë oreve të fundit në Lezhë kanë rënë 40 mm shi dhe ndodhen nën uje 1300 hektarë tokë bujqesore.