“Diskriminim!” Çollaku: Rruga e Arbrit rrezik jete, qeveria merr borxh 100 mln euro për kalldrëmet e Përmetit e Berati

Deputeti i PD Kreshnik Çollaku në një intervistë për Ora Neës me gazetarin Everest Dedaj  ka sjellë një vëmendje një problem mjaft shqetësues për qytetarët që ju duhet të lëvizin në rrugën e Arbrit.

Deputeti Çollaku u shpreh se të udhëtosh në aksin Tiranë-Dibër nga Qafa e Murrizës është në këto kohë rrezik jete.

Ai u shpreh se qeveria nuk po investon në këtë rrugë por nga ana tjetër ka marrë 30 milion euro për kalldrëmet e Përmetit  e 70 milion euro për kalldrëmet e Beratit.

Kreshnik Çollaku: Unë kam ardhur para dy ditësh nga Dibra dhe do të udhëtoj prap nesër. Të udhëtosh në aksin Tiranë-Dibër nga Qafa e Murrizës është në këto kohë rrezik jete, nuk po e ekzagjeroj rrezik jete. E ndërkohë kemi qeverinë që merr borxh 30 milion euro për kalldrëmet e Përmetit, 70 milion euro për kalldrëmet e Beratit. Mund të kishte një përqëndrim dhe investime dhe në akset jetike në veri. Edhe në Dibër jetojnë njerëz, edhe në Malsi të Madhe jetojnë njerëz. Sigurisht duhen dhe tunelet e Llogaras, dhe që Tepelena të lidhet me detin. Nuk ka pse të bëhen 3 rrugë që Tepelena të lidhet me detin.

Çollaku thotë se ka 9 vjet që vjen zvarrë rruga e Arbrit.

Kreshnik Çollaku: Rruga e Arbrit ka 9 vjet që vjen zvarrë, aty punon vetëm një eskavator. Të gjitha investimet shkojnë në zona të tjera mesa duket ka llogaritje elektorale. Edhe në Dibër jetojnë njerëz, edhe në Mat jetojnë njerëz. Le të mos merrte qeveria 30 milion euro për kalldrëmet e Përmetit të investonte për rrugën e Dibrës apo për digat në  veri të vendit. Mua veriu dhe jugu më dhembin njësoj por është e pamundur të katandiset veriu në këtë formë. Është të luash me njerëzit. Ka diskriminim në mënyrë absolute sesi alokuohet buxheti.

Dibra përfaqësohet nga ministra në qeveri dhe për këtë Çollaku shprehet: Fatkeqësisht. Fatkeqësisht dhe i bën akoma më shumë përgjegjës. Sepse u  vijnë atje për tju marrë votat dhe investimet shkojnë në zona të tjera.