Instituti i Gjeoshkencave: Të enjten pushojnë reshjet, por ulen temperaturat

Reshjet e shiut që kanë pushtuar vendin tonë gjatë ditëve të fundit janë kthyer në çështjen më të diskutuar në vend duke marrë parasysh dëmet e shumta materiale kryesisht në veri të vendin, por dhe në Durrës, Fushë-Krujë etj, si dhe humbje në njerëz si ngjarja tragjike e babë e bir që u morën nga përroi i rrëmbyer në Malësi te Madhe.

Mirëpo si do të jenë kushtet e motit në ditët në vijim dhe kur do të kemi një përmirësim të situatës?

Anira Gjoni, nga Instituti i Gjeoshkencave shprehet se përmirësimi i kushteve të motit do të nisë të enjten, ku do të ketë ndërprerje të reshjeve të shiut. Megjithatë gjatë të enjtes do të ketë dhe ulje të temperaturave me 2-3 gradë.

"Reshjet priteshin dhe ishte bërë paralajmërimi i hershëm dhe prisnim që këtë fundjavë të kishim një situatë të tillë. Kulmi ishte dita e djelë, data 20, dita e djeshme i dha pak frymëmarrje situatës për shkak të ndërprerjes së reshjeve intensive.

Përgjatë ditës së sotme gjatë pasdites dhe natës deri nesër në mesditë presim të kemi reshje përgjithësisht mesatare dhe lokale intensive në pjesën e veriut si Shkodra, Lezha, Dibra, Kukësi dhe në pjesën e jugut si Gjirokastra dhe Vlora. Situata problematike do të vazhdojë të jetë në ultërsirën perëndimore deri ditën e enjte ku do të kemi dhe përmirësim të situatës, pasi presim të pushojë shiu.

Dita e sotme është shoqëruar me ulje të temperaturave sidomos atyre minimale. Ditën e enjte presim ulje të temperaturave prej 2-3 gradësh, çka do të thotë se zyrtarisht po vjen dimri" tha ajo.