Nis dëbora e parë në vend
Veç reshjeve të shiut që kanë shkaktuar përmbytje masive në vendin tonë, në shumë pjesë të vendit ka rënë edhe dëbora e parë. Në qarkun e Kukësit në veri dhe në Korçë në Juglindje, dëbora ka zbardhur malet, ndërsa nuk paraqiten ende problem në akset rrugore.
Ulja e ndjeshme e temperaturave, ka bërë që në disa pjesë të vendit të nisin reshjet e dëborës.
Pamjet na vijnë nga Mali i Thatë në juglindje të vendit.
Reshje të dëborës ka pasur edhe në Mashkullorë, rrugës për në fshatin e thellë të Panaritit.
Në Gramoz të Kolonjës, gjithashtu ka pasur reshje të dëborës në orët e para të së martës.
Mokra dhe fshati Shtyllë në bashkinë e Korçës janë zbardhur nga reshjet, ndërsa nuk paraqiten problematika .
Temperaturat të martën, në zonat e Juglindjes shënojnë 9 gradë maksimale dhe 4 minimalja, ndërkohë që ditën e premte pritet që temperaturat të shkojnë nën zero.
Majat e maleve Gjallica, Koretniku dhe bjeshkët e larta malore janë mbuluar nga bora e parë edhe në Kukës.
Reshje të dëborës ditët e fundit ka pasur edhe në aksin Tamarë-Vermosh dhe Qafë Thore-Theth.
