Shkodra në emergjencë, shtëpi dhe mijëra hektarë tokë nën ujë. Lëvizjet me barka e kamionë

Shkodra është në emergjencë si pasojë e përmbytjeve nga reshjet e shiut dhe shkarkimet nga Hidrocentralet. Mijëra hektarë tokë dhe qindra shtëpi janë nën ujë, ndërsa dhjetëra familje janë detyruar të braktisin banesat. Kryebashkiaku, Bardh Spahia, kërkoi nga qeveria shpalljen e gjendjes së emergjencës për të përballuar pasojat e situatës që vlerëson me të keqe se ajo e vitit 2011.

Mbi 500 banesa dherreth 2600 hektarë tokë e përmbytur pas reshjeve të dendura të shiut dhe shkarkimet nga Hidrocentralet në kaskadën e Drinit.

Kjo është pamja e Shkodrës nga lart këtë të hënë, 21 nëntor.

Pas këtij Ylberi që u shfaq në orët e paradites në Obot, thuajse gjithçka është nën pushtetin e ujit. 

Në rrugën e fshatit, ku niveli i ujit shkon deri në 70 Centimetra, lëvizin vetëm mjetet e larta të ushtrisë të angazhuara me misione evakuimi.

50 familje në bashkinë e Shkodrës dhe 3 të tjera në Malësi të Madhe janë detyruar të braktisin shtëpitë pasi vërshimi i ujit u rrezikon jetën operacionet janë në vijim.

Një pjesë janë vendosur pranë të afërmve, e të tjerë në konviktet e shkollave të përshtatura për ta.

 “Kam dhe të tjerë atje, s’mund ti linim vetëm sendet”, tha banori.

Pas Kufizimit të qarkullimit në Urën e Bahçallëkut pas shembjes së të vjetrës dhe bllokimi i lëvizjes tek Harku i Bërdicës në rrugën drejt Lezhës, Shkodra është gati e izoluar.

Kalimi bëhet në drejtim të Gurit të Zi.

Pasi inspektoi zonat ku situata cilësohet kritike, kryebashkiaku Bardh Spahia, kërkoi shpalljen e emergjencës për menaxhimin e përmbytjeve.

 “Mënyra më e mirë për përballjen e situatave të tilla, do të duhej të ishte shpallja e gjendjes së emergjencës”, tha Bardh Spahia.

Disa banesa dhe mbi 1200 hektarë tokë janë të përmbytura në Zadrimë e Torovicë të Lezhës, ku Lumi Gjadër ka dalë nga shtrati.

240 efektivë të Forcave të Armatosura, me 25 motomjete dhe pajisje të posaçme sipas Agjencinë e Mbrojtjes Civile janë në ndihmë të banorëve në zonat e përmbytura krahas atyre lokale.

Shumë fshatra nga jugu në veri kanë probleme me furnizimin me energji elektrike për shkak se era dhe shiu kanë dëmtuar rrjetin shpërndarës.

Shkodra në emergjencë, shtëpi dhe mijëra hektarë