Protesta e 6 dhjetorit në një ditë me samitin, Balla: Halli i Saliut, ka 365 ditë, por zgjodhi atë
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla në një komunikim për media mbi situatën e përmbytjeve në vend foli dhe për protestën e opozitës që do të mbahet më 6 dhjetor, në të njëjtën ditë dhe me samitin e Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.
Për këtë Balla u shpreh se të gjithë e kuptojnë "hallin e Saliut, pasi kishte 365 ditë të vitit për të zgjedhur, por vendosi ta bënte në ditën e samitit".
"Në shtëpinë e shqiptarit, shtëpia është e zotit dhe e mikut. Thirrjet për të zhvilluar mitingje në një ditë feste, në një ditë dasme, sikurse është samiti i Ballkanit Perëndimor me BE bien tërësisht ndesh me traditat e zakonet shqiptare dhe natuyrshëm që, bësoj çdo qytetar shqiptar e kupton se halli i Saliut është aq i madh sa që në një ditë feste, dasme, mikpritje për miqtë, për një samit që nuk ka ndodhur asnjëherë në Shqipëri.
Ku të gjithë udhëheqësit e qeverive, presidentë do të jenë në Shqipëri. Thirret një miting kundër BE, kundër samitit dhe ka 364 ditë të tjera ku mund ta bëjë.
Në një ditë si 6 dhjetori, ju e dini se ka një nivel të rritur të sigurisë, për sigurinë e atyre që vijnë , lidhet dhe me atë që unë po mundohem t'ju them. Shqiptari nuk e ka zakon ta presi mikun me protesta. Kjo është një protestë e BE-së për ta shpallur nongrata Sali Berishën," tha ai.
