Në Durrës e Fushë-Krujë uji hyn nëpër shtëpija, Në Elbasan e Gjirokastër probleme në akset rrugore
Dhjetëra shtëpi janë përmbytur në Kënetë të Durrësit. Reshjet intensive të shiut që kanë rënë gjatë orëve të fundit kanë bërë që uji të hyjë brenda shtëpive dhe të përmbysë gjithçka. Banorët kanë thënë se nuk kanë pasur asnjë ndihmë. Ndërkohë në Elbasan dhe Gjirokastër dhjetëra fshatra janë pa energji elektrike.
Shtëpi e toka të përmbytura.
Është kjo pamja që vjen nga Këneta e Durrësit këtë të hënë, 21 nentor 2022. Reshjet intensive të shiut kanë përmbytur dhjetëra shtëpi.
Uji ka hyrë brenda banesave duke shkaktuar dëme të mëdha.
Banorët e revoltuar thanë se askush nuk u ka ardhur në ndihmë.
“Mi gjej 10 vota tha! Tani që ka hyrë uji nuk vjen. Jam në mbledhje partie, thotë. Për votat vjen me vrap, më thotë gjej 10 vota. Nuk është hera e parë. Shumë e vështirë. Shikoni shtëpia si është. Mund të jenë 50 banesa të përmbytura për faj të një tubi uji që është bllokuar dhe s'vijnë ta zhbllokojnë" thotë një banor.
"Shtëpia ime është e përmbytur me gjithça brënda saj. Para 2 vitesh më është përmbytur shtëpia komplet, me pajisje me çdo gjë. I kam hedhur, edhe këtë vit, e njëjta gjë” thotë një tjetër banore.
Autoritetet ende nuk kanë bërë një bilanc të dëmeve deri në këtë orë.
“Eshtë mbushur plot, plot, nuk kalon dot, edhe çizmet të mbushen me ujë. Askush nuk ka ardhur për ndihmë, duhet të mendojnë, jo të vijnë edhe të thonë nuk ka përmbytje. Çfarë është kjo? Ju e shikoni vetë , a është përmbytje kjo? Kur e quajnë përmbytje këta, kur mbulohet shtëpia fare, mos ti duket fare boja” thotë një tjetër banore.
Gjithashtu dalja nga shtrati e lumit Ishëm ka shkaktuar përmbytje të mëdha në disa toka bujqësore atje.
Në Fushë-Krujë mësohet se situata mbetet kritike, pasi të paktën 8 shtëpi ndodhen të izoluara nga uji.
Fshatrat më të dëmtuara nga përmbytjet janë Mallkuqi dhe Murqinan.
Në Elbasan, kemi pasur prani inertesh në sasi të vogël, në aksin rrugor Elbasan-Gjinar dhe Gramsh-Moglice.
Në Jug të vendit, në Gjirokastër mësohet se ka pasur prani ineretesh në disa akse rrugore për shkak të reshjeve intensive.
Gjithashtu me dhjetëra fshatra atje, mbeten ende pa energji elektrike.
