Rama e Berisha ndryshojnë rolet për Shkodrën, 11 vite pas përmbytjeve rikthehen akuzat për keqmenaxhim
11 vite pas përmbytjeve të fundit të Shkodrës, reshjet kanë kthyer përballë sërish Ramën dhe Berishën, por sot me role të kundërta. Kreu i PD ka akuzuar qeverinë për keqmenaxhim, por kryeministri e konsideron dezinformim
Përmbytja e Shkodrës ka vënë përballë sërish Edi Ramën me Sali Berishën, por këtë herë në pozita të ndryshme politike.
Kreu i qeverisë ka zbritur në terren ministrat me përpjekjen për të deklaruar se e kanë situatën nën kontroll.
Vetë Rama është përgjigjur në facebook, ku akuzoi se opozita po dezinformon me deklaratat se KESH ka blerë energji, kur prodhimi duhej të ishte në maksimum.
Edi Rama: Prurja më e madhe e dizinformimit vjen sot lidhur me importin e energjisë. E vërteta është se KESH ka vendosur të importojë energji elektrike sipas procedurës së datës 11 Nëntor, sepse nga të gjitha parashikimet e motit, situata e rreshjeve pritej të intensifikohej vetëm në mesditën e datës 20 Nëntor dhe nëse nuk do të ishte importuar, rezerva energjetike do të ishte në minimalen historike, duke rrezikuar vetë furnizimin normal me energji.
Më tej Rama në facebook shton se prurjet e reshjeve ishin ekstreme, por po ashtu u morën edhe masa.
Për të njëjtën situatë dikur në opozitë 11 vite më parë Rama akuzoi Berishën për keqmenaxhim, e tashmë ky i fundit i ktheu reston kur vizitoi Shkodrën.
Sali Berisha: Kjo u krijua kryekëput nga keqmenaxhimi i kaskadës diktuar nga vjedhja qeveritare.
Madje akuzës i shtoi dhe mungesën e lajmërimit për hapjen e portave.
Sali Berisha: Mbrëmë Rama e Balluku hapën fshehtas tunelin e Komanit përveç portave e kanë bërë shkarkime mijëra metra kub në Vau i Dejës, plus të gjitha portat e turbinave të këtij hidrocentrali.
Gjatë konferencës me mediat Berisha ka ndërprerë fjalën në respekt të besimtarëve myslimanë.
Sa i përket prodhimit të energjisë, KESH ka bërë të ditur se prodhon sasinë që i duhet vendit për konsum.
Ndërsa nga data 22 deri në 24 nëntor do të shesë 8040 MWh me një çmim nga 63 deri 147 euro.
Nga ana tjetër janë blerë rreth 10 mijë kWh me një vlerë nga 200 euro deri në 233 euro.
