Përmbytje te Siri Kodra/ Shkak bllokimi i kolektorit. Banorët: U dëmtua gjatë ndërtimit të një pallati
30 vite banor i Siri Kodrës Florentin Mustafa, nuk ishte ndeshur ndonjëherë me këtë situatë.
Reshjet intensive të shiut ia mbushën përplot oborrin me ujë.
“Kjo është gjendja, gjithë natën këtu. Pompat nuk funksionojnë. Nuk hyjmë dot në shtëpi nuk dalim dot nga shtëpia.”
Në disa banesa uji depërtoi brenda duke dëmtuar orenditë.
“Probleme në të gjithë banesën. Çfarë ka banesa brenda janë dëmtuar. Shkaku kryesor i përmbytjes është se është bllokuar puseta kryesore atje.”
Në Njësinë Administrative nr 8 në Tiranë gjatë të dielës u përmbytën të paktën 6 shtëpi.
Shkak dyshohet të jetë bllokimi i kolektorit në këtë zonë.
“Problem i madh, nuk e dimë.”
Banorët thonë se bllokimi mund të ketë ndodhur gjatë punimeve, për ndërtimin e një pallati të ri.
“Sidomos si është bërë ky pallati i ri, ne kemi bllokim kanalesh.”
“Që kur është ndërtuar pallati është bllokuar kanali.”
Pavarësisht ndërhyrjes së punonjësve të UKT-së dhe forcave zjarrfikëse, situata mbetet problematike.

