"Ishte një terror i paimagjinueshëm" historia e Artanit për BBC dhe një thirrje: "Mos shkoni në Angli me gomone"

"Nuk kërkova azil. U thashë se jam emigrant ekonomik”, tha Artani, “Na dhanë qese plastike me gjërat tona dhe na thanë se nesër në mëngjes do të isha në Tiranë”.

Ndryshe nga shumë shqiptarë të tjerë që kanë hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla, ai u dërgua në shtëpi me një fluturim të shpejtë dëbimi.

BBC i dedikon një shkrim emigrimit të shqiptarëve përmes kanalit të LaManshit.

Emigranti shqiptar u kishte paguar kontrabandistëve kurdë rreth 3,500 £ (4,169 dollarë) për udhëtimin e rrezikshëm nëpër Kanalin Anglez, duke marrë hua paratë nga miqtë dhe familjarët.

Pavarësisht kërcënimeve ai arriti të regjistrojë disa pamje nga udhëtimi i tij përtej Kanalit.

"Trafikantët ishin të armatosur me thika dhe pistoleta. Ata na kërcënonin vazhdimisht, duke thënë që të mos filmonim asgjë dhe as të mos pinim cigare pasi drita do tregonte vendndodhjen."

"Udhëtimi ishte torturë”, kujtoi Artani. Ishte ftohtë, stuhi dhe tepër e frikshme. Një varkë e policisë franceze u shfaq 20 minuta pas udhëtimit tonë. Ata na shoqëruan nga një distancë ndoshta 200 metra, vetëm duke vëzhguar, gjë që na siguroi. Ata qëndruan për tre orë, ndoshta më shumë. Më pas kaluam në ujërat e Mbretërisë së Bashkuar dhe thirrëm policinë britanike. Ata na thanë se po vinin për të na marrë, se nuk duhet të na zërë paniku. Ata u sollën mirë dhe u dukën shumë mikpritës dhe të sjellshëm. Ne u hodhëm në varkën e policisë në Mbretërinë e Bashkuar ku morëm jelekët e shpëtimit", tha ai.

Ashtu si mijëra të tjerë që kanë kaluar Kanalin me varka të vogla këtë vit, ai përfundoi në qendrën e pritjes Manston në Kent.

"I thashë gruas që më intervistonte: "E di që kam hyrë ilegalisht, por nuk kam ardhur për qejf. Kam ardhur se dua të punoj. Nuk kam kërkuar azil".

"Unë u thashë atyre se jam një emigrant ekonomik. Babai im është invalid. Prej 15 vitesh ai jeton me pensionin e një invalidi, nuk mjafton për të blerë ilaçet e tij."

Shumica e shqiptarëve që kemi takuar në Shqipëri ankohen se rrugët ligjore të hyrjes në MB janë shumë të vështira për t'u aksesuar, shkruan BBC.

Ai shtoi: "Po ka rrugë ligjore, por unë nxitova. Shkova për mënyrën më të shpejtë dhe më të lirë. Viza duhet të ishte më e lirë, por kisha nevojë për ndihmë me aplikimin dhe njerëzit paguajnë më shumë për këtë sesa udhëtimin me gomone."

Një nga arsyet pse Artani u deportua ishte se ai u tregua i sinqertë për arsyet e tij të udhëtimit në Britani. Ai nuk u përpoq të kërkonte azil, por këmbënguli se ishte atje për të punuar.

Artanit tani i është ndaluar të lëvizë në vendet e tjera evropiane për tre vitet e ardhshme.

Ai tha: “Kam qarë gjatë gjithë udhëtimit, që nga momenti që hipa në atë autobus dhe kuptova se po më dëbonin, deri sa mbërrita në Shqipëri”.

Çështja e kalimeve me varka të vogla ka ngjallur debat me disa që pretendojnë se problemi është mbivlerësuar, ndërsa të tjerë mendojnë se është një krizë e plotë, shkruan BBC.

E vetmja gjë për të cilën pothuajse të gjithë bien dakord, është se të vetmit njerëz që përfitojnë realisht nga status quo-ja janë bandat që nxjerrin fitime të mëdha duke rrezikuar jetët e të tjerëve.

Vetë Artani ka marrë mijëra paund borxh dhe i vjen keq.

Ai tani beson se kushdo tjetër që mendon për një udhëtim të tillë do të ishte më mirë të mos largohej fare.

"Ishte një terror i paimagjinueshëm. Me siguri do të thoja që mos zgjidhni gomonen. Nëse ka një rrugë ligjore, me vizë, atëherë po largohuni, por ju lutem mos mendoni kurrë të largoheni me gomone." Pergatiti: Joe Inwood per BBC Newsnight dhe Albana Kasapi per "The World Tonight on BBC Radio 4."