Përmbytjet/ Në Shkodër e Lezhë situata më problematike, deri tani 53 familje të evakuara

Situata si pasojë e reshjeve intensive në vend paraqitet problematike veçanërisht në qarqet e Shkodrës dhe Lezhës.

Ministria e Mbrojtjes informon evakuimin e 50 familjeve në bashkinë Shkodër dhe 3 familjeve në fshatin Gruemirë, bashkia Malësi e Madhe.

Të evakuuarit janë strehuar në konviktet e shkollave dhe pranë të afërmve të tyre.

Një familje është evakuar nga fshati Mabe, në Lezhë, të cilët janë strehuar tek të afërmit e tyre.

Mbi 240 efektivë të Forcave të Armatosura, me 25 motomjete dhe pajisje të posaçme për përmbytjet janë përqendruar në këto dy qarqe, në ndihmë edhe të forcave të tjera operacionale.

Në aksin rrugor Shkodër- Lezhë, në vendin e quajtur “Harku i Bërdicës”, kalimi bëhet në drejtim të Gurit të Zi.

Po ashtu është normalizuar situata në aksin e vjetër Milot-Burrel, ku pati rënie gurësh.

Situata po ndiqet me vëmendje edhe në bashkitë Dibër, Kukës, Tropojë, Durrës, Tiranë.

Ministria e Mbrojtjes u bën thirrje banorëve të zonave  më të prekura nga reshjet, të bëjnë kujdes gjatë këtyre orëve kritike, të kërkojnë ndihmën e autoriteteve në çdo rast dhe pa vonesë.

Efektivët e Forcave të Armatosura, nën koordimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, të gjitha kapacitetet e shërbimit zjarrfikës, Policia e Shtetit, strukturat e emergjencave civile, shërbimi mjekësor janë të gjithë të angazhuar në terren