SPAK zbret te incineratorët, prokurorët do të verifikojnë në terren në 2 impiante, Hetim pasurisë së të arrestuarve

Dy prokurorë të SPAK, që po hetojnë çështjen e inceneratorit të Fierit dhe Elbasanit, pritet të udhëtojnë ditën e hënë, (21 nentor 2022) në ambientet e dy inceineratorëve, për të parë nga afër objektet.

Klodian Braho dhe prokurori Dritan Prençi, kanë shfaqur interes për të shikuar nga afër dy objektet e sekuestruara nga SPAK.

Qëllimi i kësaj vizite që pritet të kryhet nesër, është verifikimi në teren i gjëndjes së dy veprave industriale të bllokuara tashmë me urdhër të SPAK.

Të dyja objektet janë vënë në administrim me vendim të Gjykatës së Posaçme SPAK dhe është caktuar një administrator.  Por përgjatë një vit hetime prokurorët nuk kanë shkuar ta shohin nga afër objektin, për të cilën ata kanë arrestuar dhe marrë të pandehur disa zyrtarë dhe biznesmenë të njohur.

Për dy objektet Fier-Elbasan, janë arrestuar disa persona, mes të cilëve ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, deputeti i PS Alqi Bllako, zv/presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Arben Dervishaj, dhe disa persona të tjerë që kanë pasur rolin e përpilimit të dokumentacioneve si dhe mbikqyrjes së punimeve.

Por ky hetim i SPAK, pritet të shtrihet paralelisht edhe me një hetim tjetër siç është ai pasuror ndaj personave të arrestuar dhe familjarëve të tyre. Prokuroria e Posaçme, ka nisur dërgimin e kërkesave në bankat e nivelit të dytë dhe zyrat e Agjensisë Shtetërore të Kadastrës si dhe institucione të tjerë për të mësuar gjëndjen e pasurisë për cilindo prej të arrestuarve të këtij procedimi penal.

Sipas SPAK Arben Dervishaj, në cilësinë e mbikëqyrësit të punimeve të shoqërisë koncesionare “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier”, ka miratuar dhe më pas pasyqyruar e dorëzuar pranë Ministrisë së Mjedisit dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, situacione për punime fiktive, shërbime që nuk janë kryer dhe pajisje që nuk janë realizuar në zbatim të kontratës koncesionare, ku janë siguruar përfitime të paligjshme në vlerën 4 milion Euro.

Gjithashtu, arkitekti dhe ndërtuesi Arben Dervishaj, ka marrë përfitime të parregullta nga shtetasi Klodian Zoto, që kanë konsistuar në përfitime të vlerës së udhëtimeve të tij private për jashtë shtetit, biletave të avionit, qëndrimit në hotele dhe të biletave të ndeshjeve të futbollit në stadium në Itali.


Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.