Rritet prezenca policore në rrugët e vendit, apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat
Reshjet e shiut kanë sjellë vështirësi në të gjithë vendin. Në disa zona janë raportuar përmbytje.
Sakaq moti i keq me reshje shiu të dendura, ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve.
Policia Rrugore ka rritur prezencën në rrugë dhe monitorimet me mjetet inteligjente, në të gjithë vendin.
Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve që të respektojnë me rigorozitet sinjalistikën rrugore dhe të moderojnë shpejtësinë, pasi në disa akse rrugore ka prezencë të ujit në rrugë dhe rënie inertesh.
Drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve të mos kryejnë parakalime të gabuara, të mos përdorin aparatin celular gjatë drejtimit të mjetit dhe të vendosin rripin e sigurimit, ndërsa drejtuesit e motomjeteve të vendosin kaskën mbrojtëse dhe t’u japin përparësi këmbësorëve, në vijat e bardha.
Gjithashtu, drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve të ndjekin dhe të zbatojnë me rigorozitet udhëzimet e Policisë Rrugore dhe të autoriteteve të tjera shtetërore, në rast se do të ketë bllokime të rrugëve, si dhe të telefonojnë në numrin 112, për problematikat që mund të hasin gjatë udhëtimit të vështirësuar si pasojë e motit të keq.

