Tragjedi mes përmbytjes, babë e bir rrëmbehen nga përroi. Shpëton vajza në Malësi
Tragjedi mes përmbytjes në Malësi të Madhe.
Pjeter Rushaj dhe i biri rezultojnë të zhdukur pasi makinën me të cilën udhëtonin e mori përpara rrjedha e përroit të Thatë.
Ngjarja ndodhi në “Grykë Lugje”, të njësisë administrative Shkrel.
Bashkë me ta në makinë ndodhej edhe vajza e familjes Rushaj, e cila ka mundur të dalë nga uji në kohë e ndihmuar nga një banorë i zonës.
Ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa babë e bir humbën në rrjedhën e fortë.
Ishin banorët e zonës ata që dhanë alarmin SOS në Policinë e Shtetit që ka dërguar në zonë një ekip të forcave Speciale.
Në operacion u përfshinë, polumbarët e RENEA-s, grupi i evakuim-shpëtimit, ekipi alpin i FNSH Shkodër, emergjencat civile dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe.
Disa në ujë dhe të tjerë në anë të Përroit të rrëmbyeshëm po punojnë për gjetjen e babë e bir të zhdukur.
Dyshimet e forta janë se ata mund të kenë humbur jetën për shkak të prurjeve të shumta të ujit dhe terrenit të vështirë në zonë, duke u shënuar si ngjarja më e rëndë e lidhur me përmbytjet vitet e fundit.
Por pa u gjetur trupat, asgjë përfundimtare nuk mund të thuhet për fatin e tyre.
