Protesta e 6 dhjetorit, Berisha: Do zhveshim Ramën në sy të BE

Kreu i demokratëve Sali Berisha sqaroi se data 6 dhjetor në të cilën do të mbahet protesta e rradhe e frontit opozitar, është një jehonë për t’i treguar liderve të Europës dhe rajonit se përballë atij që e quan narko-shtetit të Edi Ramës, ka një popull opozitar i cili nuk do ta tolerojë. Berisha shpjegoi se protesta nuk ka për qëllim të pengojë mbledhjen e samitit të be-ballkani përendimor, por e quajti mirëseardhje në të vërtetën e shqiptarëve.

Përcaktimi i 6 dhjetorit si data në të cilën do të mbahet protesta e rradhës e Partisë Demokratike ka nxitur reagimin e menjëhershëm të mazhorancës e cila e ka cilësuar një akt antieuropian. Për socialistët një protestë e tillë  në ditën kur pritet të organizohet dhe samiti i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor në Tiranë, ku do të vijnë krerët e qeverive të Ballkanit Perëndimor por dhe zyrtarë të lartë të BE-së, është e papranueshme.

Por kësaj alibie i përgjigjur vetë kreu i demokratëve Sali Berisha këtë të shtunë në një deklaratë për mediat.

Sali Berisha: Është një qëndrim kryekëput pro evropian, një qëndrim që synon t’i thotë Europës se krahas narkoshtetit të Edi Ramës, krahas politikave të shpopullimit që shndërruan shqiptarët në kombin e gomoneve, krahas regjimit të monizmit të plotë që ka degdisur Shqipërinë 4 vende ndër Vietnamin komunist në indeksin e zbatimit të ligjit, t’u rikujtojmë ne se ata vijnë në një vend që është poshtë Vietnamit për standardet e demokracisë, është dhe një popull i tërë i fuqishëm opozitar që do mbushë sheshet, rrugët nga e gjithë Shqipëria në mbrojtje të idealeve dhe ëndrrës europiane shqiptare.

Nga Pallati i Kongreseve, ku mori pjesë në panairin e Librit, Berisha bëri edhe një premtim për autorët dhe botimet në shqip.

Sali Berisha: Shqiptarët duhet ta dinë se libri në Shqipëri taksohet më shumë se kudo në Evropë. Rama, ky njeri që për veten e vet pretendon se më një libër ndërtoi sarajet e Surrelit, tani takson si shtëpitë botuese, ashtu edhe shtypshkronjat, duke rritur kostot dhe duke ulur tirazhet e librave në mënyrë dramatike. Vetëm tarifat dhe taksat doganore që ky vendos e bën librin pothuajse të ndryrë në territorin e Shqipërisë. Garantoj autorët e krijuesit se një politikë tjetër krejtësisht e ndryshme nga kjo do të instalohet.

Lideri demokrat nuk u largua duarbosh nga panairi, duke marrë me vetë një nga botimet e autorit të tij të preferuar, Gabriel Garcia Markes, por edhe botimin e mikeshës së tij hebreje të fakultetit.