Thyen xhamin e kabinës së biletarisë së parkut të Divjakës, arrestohen dy protestuesit

Policia e Divjakës identifikon dhe arreston dy personat që thyen kabinën e vendosur në hyrje të parkut kombëtar të Divjakës.
Ministria e Kulturës ka vendosur aplikimin e tarifës prej 50 lekësh për të hyrë në rrugën e parkut dhe plazhit të Divjakës por kjo kundërshtohet nga banorët e zonës të cilët dy ditë kanë protestuar duke shkuar dhe hequr traun.

Për dy ditë, të enjten dhe të premten pati tensione deri në përplasje me policinë ndërsa dje u thye dhe kabina e biletarisë. Ndërkohë sot policia njofton se ka arrestuar në flagrance dy banorë të fshatit Xeng në Divjakë pasi “gjatë protestës së zhvilluar ditën e djeshme, në Divjakë, kanë kryer veprime të dhunshme dhe si pasojë kanë thyer kabinën e vendosur në hyrje të parkut kombëtar të Divjakës” thuhet në njoftimin e policisë.

Gjithashtu do të hetohen në gjëndje të lirë kryetari i Partisë Demokratike Lushnje Eduart Sharka dhe 4 persona të tjerë.