Ricardo Gutiérrez: Qeverisë i volit që të ketë një ambjent të dobësuar gazetaresk, jemi këtu për ti treguar Europës

Ricardo Gutiérrez nga European Federation of Journalists rikthehet në Shqipëri pas tre vitesh dhe me shqetësim thotë se ka vetëm regres në lirinë e medias.

Për Ora News me gazetarin Isa Myzyraj ai ndau shqetësimin se situata ka përshkallëzuar për keq.

Gutiérrez: Jemi këtu për të shpjeguar gjetjet e misionit tonë për lirinë  e medias në Shqipëri. Erdhëm dhe tre vjet më parë dhe nuk shohim asnjë progres. Nga këndvështrimi jonë situata ka përshkallëzuar për keq. Nuk shohim autoritetet publike të ndërmarrin veprime.

Është e mundshme që të marrësh masa ligjore për të ballafaquar dhe kundërshtuar këto fenomene por një gjë e tillë nuk është bërë nga qeveria. Ne jemi skeptikë dhe dyshues sa i përket dëshirës së qeverisë  për të zgjidhur këto probleme dhe dyshojmë se i volit qeverisë që të ketë një ambjent të zbehtë dhe të dobësuar gazetaresk. Nuk shohim ndonjë përmirësim dhe nuk e shohim qeverinë që të ndërmarrë ndonjë veprim sa i përket përmirësimit të situatës.

Ai thotë se situata bëhet më komike pasi vetë kryeministri ua pranoi në takimin që patën me të të premten se nuk ka asnjë progres.

Gutiérrez: Është paksa për të qeshur se ai vetë e pranoi se nuk kishte ndonjë progres. Ndaj e pyetëm po sa i përket veprimeve të tua, nëse nuk ka progres, ka përgjegjësi nga autoritetet publike shqiptare, ka përgjegjësi nga qeveria dhe besoj se ka aksione që duhen ndërmarrë në këtë vend sa i përket përmirësimit të situatës. Do ishte e mundshme për Shqipërinë të merrte masa të forta për të kundërshtuar përqëndrimin e pronësisë së medias, përmirësimit të pavarësisë së gazetarëve duke përfshirë dhe pavarësinë e redaksive.

I kërkuam Ramës se çfarë ke bërë dhe pse je në këtë pozitë mosveprimi? I volit qeverisë të lejojë që gazetarët të punojnë në kushte të vështira sepse në kushte të vështira ata e luajnë me vështirësi rolin e tyre si rojtarë të demokracisë. Nuk jam fare dakord me qëndrimin e kryeministrit dhe zyrtarëve të tjerë. Është një mënyrë për të diskretituar gazetarët. Qeveria duhet të kuptojë rolin e gazetarisë, ne jemi ata që i pyesim dhe ata janë aty duke mbajtur përgjegjësi me veprimet e tyre. Nuk bie dakord fare me të. Bëjmë thirrje që qeveria të njohë rolin e gazetarisë në shoqëri.

Ai vlerëson se presioni ndërkombëtar është i rëndësishëm.

Gutiérrez: Ne duhet të vijojmë të bëjmë presion ndaj qeverisë. Për tu anëtarësuar në BE vendi duhet të bëjë progres në lirinë e medias, është nga kriteret e rëndësishme. Jam këtu për ti thënë Europës se çfarë unë kam parë, për të raportuar veprimet e qeverisë. Nëse Shqipëria do të hyjë në BE duhet të ndërmarrë veprime. Deri tani nuk shoh asnjë veprim, përkundrazi propagandë nga qeveria dhe kapjes së mediave nga disa oligarkë që e përdorin median për interesin e tyre.