Alibeaj letër KE-së për portin e Durrësit: Rrezik për pastrim parash
Komisioni Evropian dhe Delegacioni i BE-së në Tiranë të ndjekin më vëmendje dhe të hetojnë mbi përputhshmërinë e marrëveshjes për ndërtimin e Portit të ri në Durrës me parimet dhe standardet e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe legjislacionit evropian. Është kjo kërkesa që kreu i grupit parlamentar demokrat Enkelejd Alibeaj drejtuar përmes një letre informuese Brukselit zyrtar mbi projektin që siç thotë ai, u rrëmben shqiptarëve një nga pak pasuritë e mbetura publike të vendit.
Projekti i qeverisë Rama për ndërtimin e një porti të ri në Durrës tashmë është kthyer në problem dhe për Bashkimin Europian.
Kjo pasi kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj nëpërmjet një letre ka informuar të premten, 19 nentor 2022, Komisionin Evropian dhe Delegacionin e BE-së në Tiranë lidhur me projektin e Portit të Durrësit.
Alibeaj thotë se projekti praktikisht u rrëmben shqiptarëve një nga pak pasuritë e mbetura publike dhe që iu dhurohet me një projekt qesharak të përzgjedhurve dhe klientëve të kryeministrit.
Sipas tij, Projekti i Portit të Durrësit mund të jetë një rast unik në botë ku shteti ofron 818 mijë metra katrorë pronë publike, si dhe përjashtime nga taksat, me një vlerë totale 730 milionë euro, për të marrë mbrapsht vetëm 280 milionë.
Ai thekson se investitori ka marrë përsipër të realizojë një investim 2.1 miliardë euro, në një kohë që ai ofron vetëm 160 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër prej 1.94 miliardë Euro do të sigurohet nga palë të treta të panjohura.
Shtuar këtu faktin që kompania mëmë është e regjistruar në Ishujt Kajman, cka sipas Alibeajt, krijon qartazi një rrezik të lartë për pastrim parash.
Duke vepruar kështu qeveria shqiptare, vijon më tej në letrën e tij deputeti demokrat, jo vetëm ka shkelur rëndë parimin e konkurrencës së lirë, por ka diskriminuar çdo kompani shqiptare dhe europiane që mund të ishte e interesuar për t’u përfshirë në këtë projekt.
Alibeaj thekson se një hall i madh e ka detyruar Edi Ramën të sulmojë të gjithë ata që janë kritikë dhe skeptikë për projektin fantazmë të portit të Durrësit.
Nisur nga kjo por edhe në kushtet kur drejtohemi nga një qeveri që siç thotë Alibeaj, ka faktuar se di veç të abuzojë dhe të vjedhë pasuritë e shqiptarëve, është domosdoshmëri së paku transparenca.
Në përfundim Alibeaj thekson se ne anë të kësaj letre kërkon nga Komisioni Evropian dhe Delegacioni i BE-së të ndjekin më vëmendje këtë rast dhe në përputhje me procedurat e tyre të hetojnë mbi përputhshmërinë e kësaj marrëveshje me parimet dhe standardet e MSA-së dhe legjislacionit evropian.
