Peleshi: Berisha protestë në Samitin e BE-së në Tiranë, as Putinin nuk do të bënte më shumë
Pas Taulant Ballës dhe Damian Gjiknurit, ka reaguar edhe Niko Peleshi lidhur me protestën e 6 dhjetorit të lajmëruar nga opozita.
Ministri i Mbrojtjes shkruan se ky është një trup që nuk e meriton Shqipëria, pasi protesta do të mbahet ditën kur në Tiranë do të vijë Samiti i BE-Ballkani Perëndimor.
Ai shton asgjë më shumë se sa kaq nuk do të bënte edhe Vladimir Putin nëse do të udhëhiqte opozitën shqiptare dhe thekson se kjo është faturë nuk mund ta paguajë Shqipëria.
Peleshi: Një turp që nuk e meriton Shqipëria. Sot, kur Ballkani Perëndimor ka më shumë së kurrë nevojë për mbështetjen e BE dhe SHBA; Sot, kur Shqipëria po spikat si vendi lider në orientimin e rajonit drejt perëndimit, pa dilema gjeopolitike; Sot, kur jemi ulur në tryezën e bisedimeve për anëtarësim të plotë në BE; Sot, në prag të një ngjarjeje historike të paimagjinueshme për nga forca që i jep rrugëtimit tonë evropian – samitit të BE në Tiranë, Sali Berisha thërret protestë kundër BE, në ditën e samitit.
Asgjë më shumë se sa kaq nuk do të bënte edhe Vladimir Putin nëse do të udhëhiqte opozitën shqiptare. Një dhurate apo një borxh i vjetër? Sidoqoftë këtë faturë nuk mund ta paguajë Shqipëria. Qëndrimi qytetar ndaj këtij turpi është detyrë e gjithsecilit. Së pari e pjesës së shëndetshme të PD.

