Pas mesnate nuk pipëtin muzika, Rama sfidon operatorët në Vlorë: Më jepni prova që sjell më shumë të ardhura

Qeveria nuk do të tërhiqet nga vendimi për të fikur muzikën në mesnatë pavarësisht kërkesës së turoperatorëve. Në takimin në Vlorë ai theksoi se rrëmuja e këngëve nuk sjell rritjen e numrit të turistëve ndaj dhe kërkoi më shumë fakte për të kundërtën.

Kryeministri, Edi Rama, ka vijuar turin e takimeve në bashki duke u ndalur në Vlorë ku ka diskutuar me operatorët turistikë sa i përket problematikave.

Një prej kërkesave ishte edhe fasha orare e lejimit të muzikës, por dhe e nivelit të lejuar të saj.

Për kreun e qeverisë rishikimi i vendimit bëhet vetëm pas provave të qarta.

"Ulesh në një lokal dhe ke muzikën e lokalit, ke muzikën e tjetrit ngjitur dhe tre këngëtarë që çirren kush të dalë mbi tjetrin. Tre pronarë që çirren përmes këngëtarëve. Duhet të sillni një provë që terrori audio sjell më shumë të ardhura për ju dhe unë atëherë do të dorëzohem dhe nuk vi më në Lungomare përveçse në mëngjes."

Projekti i aeroportit të këtij qyteti shihet si mundësia më e mirë për të rritur numrin e turistëve.

"Do të rrisë shumë kapacitetin e qarkullueshmërisë.Pa harruar aeroportin u punimet ecin shumë mirë dhe fluturimin e parë do ta kemi në fund të vitit 2024 dhe shpresojmë të mos kemi surpriza. Aeroporti i Vlorës pati shtyrje që ishin jashtë vullnetit tonë, por tani është tërësisht në vijë dhe nëse nuk ndodh ndonjë gjë e paparashikuar jam besimplotë që në fund të vitit 2024 do të kemi fluturimin e parë."

Këto takime të Kryeministrit vijnë në kuadër të fushatës parazgjedhore në disa qytete të vendit.