Zhaklin Lekatari: Shqiptarët të shndërruar në shoqëri joempatike e jonjerëzore

Gazetarja Zhaklin Lekatari thotë se shqiptarët janë një shoqëri joempatike e jonjerëzore.

Sipas saj tregues për këtë janë dhe numrat e ulët të njerëzve që morën pjesë në protestën e organizuar nga shoqëria civile për vajzën 22-vjeçare nga Kenia e cila u dhunua.

Gjatë fjalës së saj në këtë protestë Lekatari tha se “njëri nga ne nesër mund të jetë Joy dhe nëse nuk kemi mbështetje dhe nuk kemi fuqinë e duhur do të jemi të braktisur si ajo aty dhe ndoshta dhe mund të vdesim.”

“Përshëndetje! Faleminderit që keni ardhur. Dua të them dy gjëra të shkurtra. Numrat janë shumë të rëndësishëm dhe prezenca jonë dhe numrat e  sa qytetarëve jemi mbledhur këtu sot tregojnë për krizën në të cilën shoqëria shqiptare po kalon, sesa shoqëri joempatike e jonjerëzore jemi bërë dhe jemi shndërruar. Kemi harruar se bota modern në të cilën jetojmë sot është bazuar në dy parime kryesore që janë zbatimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut.

Dhe në këtë ngjarje nuk kemi as zbatim ligji as të drejta të njeriut dhe ajo që nuk duhet të harrojmë është se secila nga ne mund të jetë një Joy. Ne duhet të kërkojmë llogari nga institucionet shqiptare. Njëri nga ne nesër mund të jetë Joy dhe nëse nuk kemi mbështetje dhe nuk kemi fuqinë e duhur do të jemi të braktisur si ajo aty dhe ndoshta dhe mund të vdesim.”