Liria e medias, organizatat ndërkombëtare shqetësim për kasetat e Veliajt dhe regjinë qendrore të Ramës
Shqipëria vazhdon që të përjetojë një përkeqësim sa i përket lirisë së medias.
Ky është rezultati final i një misioni faktmbledhës për lirinë e shtypit të përbërë nga 7 organizata ndërkombëtare, të cilat qëndruan në Shqipëri për 2 ditë.
Flutura Kusari nga “European Centre for Press and Media Freedom:”"Vlerësimi ynë është se në përgjithësi Shqipëria vazhdon të përjetojë një përkeqësim të lirisë së medias. Ndërsa kuadri ligjor mbetet përgjithësisht i përshtatshëm, nuk është bërë asnjë përparim në vitet e fundit në përmirësimin e mjedisit për gazetarinë e pavarur dhe mbikëqyrëse ose pluralizmin mediatik".
Përfaqësuesit e 7 organizatave thanë se kronikat e gatshme të përgatitura nga Bashkia e Tiranës e drejtuar nga Erion Veliaj dhe që nuk kalojnë në kontrolle gazetareske janë shqetësuese.
Shprehën shqetësimin e tyre dhe me sistemin e riedukimit të kryeministrit Edi Rama kundrejt gazetarëve dhe mungesa e aksesit në informacion.
Flutura Kusari nga “European Centre for Press and Media Freedom:"Zyra e kryeministrit dhe bashkia e Tiranës vazhdojnë të shpërndajnë materiale informative të parapërgatitura dhe kjo strategji i mbron këto institucione nga pyetjet kritike nga gazetarët."
Mungesa e transparencës, aksesi në informacion dhe propaganda e shtuar e institucioneve shtetërore mbeten ende një shqetësim sipas organizatave të huaja.
Flutura Kusari nga “European Centre for Press and Media Freedom:"Kërkesat e gazetarëve injorohen rregullisht ndërsa gazetarët na kanë deklaruar se Agjencia për Media dhe Informim nuk e ka ndihmuar në fakt tansparencën. Ky institucion sipas tyre ka shërbyer që të centralizohet informacioni dhe rrjedhimisht të bëhet shumë më e vështirë për gazetarë që të kenë përgjigje për informacionet që kërkojnë."
Organizatat e huaja theksuan gjithashtu se vetëcensurimi mes gazetarëve është një sfidë sistematike e përkeqësuar nga kushtet e këqija të punës dhe të drejtat e punës për profesionistët e medias.
Gjetjet u prezantuan nga përfaqësues të organizatave; Article 19, European Federation of Journalists, International Press Institute, Committee to Protect Journalists, Reporters Without Borders, European Broadcasting Union, European Centre for Press and Media Freedom.

