Balla me fjalët e Ramës: Berisha protestë më 6 dhjetor kundër BE, tradhtar që i shërben Putinit

Kreu i grupit të PS-së në parlament, Taulant Balla ka reaguar për protestën që pritet të mbajë opozita në 6 dhjetor në Samitin BE-Ballkani Perëndimor.

Balla shkruan se tradhtari Sali Berisha do të presë në besë shqiptarët më datë 6 Dhjetor 2022, duke thyer çdo normë, me kanun e kode shqiptari.

Ai shton se kjo është një protestë kundër vetë Bashkimit Evropian dhe se po i shërben lojës së presidentit rus Vladimir Putin.

Balla: Turpi i Shqipërisë ka emër! Shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut. Këtë rregull kurrë nuk e ka shkel askush në Shqipëri. Ne kemi shkruar historinë tonë me kodin tonë të mikpritjes. Por tradhtari dhe turpi i çdo vlere shqiptare Sali Berisha do të presë në besë shqiptarët më datë 6 Dhjetor 2022, duke thyer çdo normë, me kanun e kode shqiptari. Nuk e ka herën e parë që e bën.  Sali Berisha thërret protestë kundër Samitit BE-Ballkani Perëndimor, thërret njerëzit e tij të turpërojnë Shqipërinë.

Sali Berisha thërret protestë në ditën e dasmës më të bukur të ribashkimit me Evropën. A ka ndokush më pikëpyetje për kë punon Sali Berisha?! O vëllezër e motra ky tradhtar ka thirrë protestë kundër Bashkimit Evropian. Ky tradhtar po i shërben lojës së Vladimir Putinit kundër Bashkimit Evropian.