“Çdo jetë ka rëndësi” Shoqëria civile protestë për dhunimin e 22-vjeçares nga Kenia

Shoqëria civile ka zhvilluar protestë përpara Drejtorisë së Policisë në Tiranë lidhur me dhunimin e një 22-vjeçarje nga Kenia, Joy Aoko.

“Mora pjesë në këtë protestë qytetare sepse e konsideroj një turp të madh për Shqipërinë, shqiptarët dhe për policinë e shtetit, shqiptarë e masmediat e këtij vendi. Ngjarja ka ndodhur më 13 gusht dhe policia e shtetit nuk tha se çfarë ka ndodhur me atë vajzë që ka një leje qëndrimi dhe një kontratë të rregullt pune. Policia e shtetit që është e para që i merr në mbrojtje, në vend që të sqaronte situatën e fshehu këtë krim.

E fshehën dhe masmediat e këtij vendi. Ka të bëjë me një racizëm që mund ta kenë disa koka që bëjnë pjesë dhe në policinë e shtetit apo arsye tjetër. Arsyeja është që një pjesë e policisë së shtetit është e kapur nga krimi. Kriminelët po bëjnë ligjin, i mbyllën gojën policisë së shtetit të mos tregonte. Po të flasë ajo krimi zbulohet me një dëshmi, këto e mbajnë në atë gjendje sepse nuk duan që ajo të flasë. Po vdiq ajo kemi vdekur dhe ne si komb” tha avokati Hydajet Beqiri.