Porti i “sherrit” në Durrës, Ciko: Debatet në forma të papërshtatshme i dëmshëm për investitorët

Ilir Ciko ekspert i ekonomisë në një intervistë për RTV Ora me gazetaren Besmira Pelushaj fli rreth projektit të portit të Durrësit.

Sipas tij “është për të ardhur keq që në situata të tilla kur investime të rëndësishme për vendin synohen të arrihen debati përshkallëzohet në forma të papërshtatshme  që janë të dëmshme jo vetëm për investitorët që konsiderojnë investimin në fjalë por dhe për investitor të tjerë që mund të kenë interes në të ardhmen”.

Ilir Ciko: Projektin e portit të Durrësit mund ta shohim në dy drejtime. Së pari sa i përket zbatimit të një projekti të tillë madhor për ekonomin, madhor për vendin dhe nuk duhet parë thjesht si i izoluar por që ka dhe peshë në nxitjen e investimeve të tjera. Do të meritonte një vëmendje më të shtuar dhe një debat më të gjerë publik mbi këtë vepër madhore për gjithë Shqipërinë. Është për të ardhur keq që në situata të tilla kur investime të rëndësishme për vendin synohen të arrihen debati përshkallëzohet në forma të papërshtatshme  që janë të dëmshme jo vetëm për investitorët që konsiderojnë investimin në fjalë por dhe për investitor të tjerë që mund të kenë interes në të ardhmen.

Nga hetimet ka rezultuar se kompania ka një buxhet prej 10 mijë lekë të vjetra, a është kjo në shkelje të ligjit? A duhet të kishte kompania që do të ndërtojë të paktën 10 për qind të vlerës që do ta investojë në këtë projekt?

Ilir Ciko: Pavarësisht se nuk e njoh e nuk kam dijeni për investitorin në fjalë, nga informacioni që kam është që nuk është një person i panjohur por dikush që ka rëndësi të posaçme për ndërtimet në Dubai. Mendoj se ka kapacitetet e nevojshme dhe është i gatshëm për të ndërmarrë një nismë të tillë. Se si kjo realizohet në praktikë dhe si mundësohet përmes kontratave me shtetin shqiptar është një detyrë parësore e gjithë pjesës administrative të institucioneve shqiptare. Kërkesat ligjore duhet të respektohen, nëse pjesa e kapitalit është e vërtetë se mungon duhet parë në rrënjë se ku qëndron problemi e si mund të rregullohet.