Gjykata e Lartë lë në burg pronarin dhe administratorin e “Alba ekzotik fruit”

Pronari dhe administratori i kompanisë ‘Alba Ekzotik Fruit’ do të qëndrojnë në burg të akuzuar për trafik kokaine. Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e bërë nga avokatët e dy të pandehurve. Ata akuzohen për 6 sasi kokainë që janë kapur në kontejnerët me banane nga ekuadori të mbërritur në shqipëri për llogari të kompanisë së import-eksportit të frutave.

Eduart Dauti dhe Bajron Gumeni, pronari dhe administratori i kompanisë alba exotic fruit do të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimit.

Gjykata e Lartë nuk pranoi rekursin e paraqitur me kërkesën për një masë më të butë sigurie se ajo e arrestit me burg dhënë nga apeli i durrësit.

Fillimisht Dauti dhe Gumeni u hetuan nga SPAK, por më pas Prokuroria e Posaçme shpalli moskompetencën duke ia kaluar dosjen prokurorisë së Durrësit. Në kontejnerët me banane të kompanisë Alba Exotix fruit janë kapur 6 herë sasi kokainë nga 7 deri në 10 kg në një hark kohor të 2 viteve, me peshë totale 50 kg.

Përfaqësueit e kompanisë e cila është vendosur nën sekuestro kanë mohuar akuzat por 'Alba Exotic Fruit' është evidentuar  edhe më parë në historinë me trafikut të droges pasi në vitin 2019, në kontejnerët e kësaj kompanie, në Pire të Greqisë u gjetën 137 kg kokainë që u zëvendësua me oriz me GPS nga autoritetet.

Për këtë episod janë arrestuar 3 persona të tjerë mes tyre dhe Gentian Malindi i cili po gjykohet në Gjykatën e Posaçme për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike.