Cristiano Ronaldo nuk arrin të ndahet nga djali që ndërroi jetë, hirin e tij e mban në shtëpi

Cristiano Ronaldo ka bërë një rrëfim të pazakontë në intervistën me Piers Morgan ku ndër të tjera u ndal edhe te tragjedia në familjen e tij përpara disa muajsh ku djali ndërroi jetë gjatë lindjes ndërsa vajza mbijetoi. Në rrëfimin për “Talk TV”, ai e cilësoi atë si momentin më të keq të jetës ndërsa shtoi se hirin e trupit të tij e mban në shtëpi.

“Hiri i trupit të tij, ashtu si ai i babait janë këtu në shtëpi me mua. Është diçka që unë do ta mbaj gjatë gjithë jetës time dhe nuk do të pranoj asnjëherë ta hedh në det ose në oqean. E mbaj atë me mua, në një kishëz të vogël në shtëpi, bashkë me babin”.

Ronaldo dhe Georgina Rodriguez e humbën djalin në muajin prill të këtij viti, ndërsa babai i sulmuesit ndërroi jetë në vitin 2005. Në vijim ai shpjegon se sa të vështirë e ka pasur edhe gjendjen emocionale pasi  ndjenja e dhimbjes përzihej me atë të gëzimit për lindjen e vajzës së vogël.

“Është një çmenduri. Jam munduar t’ua shpjegoj familjes dhe miqve të ngushtë që asnjëherë nuk jam ndier në të njëjtën kohë i gëzuar dhe i hidhëruar. Është shumë e vështirë të shpjegohet. Nuk e di se çfarë të bësh, të qash apo të qeshës. Nuk di si të reagosh, nuk di se çfarë të bësh”.