Zbulohet arsyeja pse Osimhen vazhdon ta mbajë maskën edhe pasi rrezikoi të humbiste syrin

Edhe pasi u shërua vazhdoi të mbante maskën në fytyrë dhe tifozët nisën të pyesnin se përse Victor Osimhen nuk e hoqi më asnjëherë. Mjeku që ndoqi rehabilitimin e sulmuesit nigerian të Napolit, Roberto Ruggiero flet për dëmtimin e rëndë të bomberit duke rrëfyer një detaj shokues.

“Osimhen e vendosi aparatin dhe u ndie mirë e i sigurt që në fillim prandaj mori vendimin për të mos e hequr më. Ai është shëruar dhe nuk ka më asnjë rrezik por kërkon që ta mbajë pasi ndihet më i sigurt. Pati një ndërhyrje të komplikuar dhe u mendua se mund të humbiste edhe syrin. Jam shumë i lumtur për rezultatin që kemi arritur me maskën e tij”.  

Deklaratë që heq edhe dyshimet më të vogla rreth gjendjes së lojtarit që këtë sezon po bën magji në Itali bashkë me Napolin e tij në vendin e parë dhe pa asnjë humbje.