Hajdutët i tmerruan familjen ndërsa Allegri e kishte skuadrën në grumbullim
Daniele Rugani dhe e fejuara Michela Persico janë vënë në shënjester të hajdutëve pasi dy herë gjatë javëve të fundit, shtëpia e tyre është bastisur. Mbrojtësi i Juventusit dhe gazetarja e “Gazzetta dello Sport” kanë përjetuar momente paniku. Rrëfimin e bën pikërisht e fejuara e futbollistit, e cila tregon:

“Tre javë më parë një natë frike dhe sërish një rast tjetër gjatë ditëve të kaluara. Tani nuk mundemi më, boll! Do të kërkojmë një shtëpi të re”.
Persico rrëfen më pas detajet e dy tentativave të vjedhjes që u regjistruan kur lojtari ishte i grumbulluar me Juventusin.

“Isha në shtëpi me djalin e sëmurë dhe rreth orës 3 dëgjova disa zhurma dhe portën që u hap. Mendova se Daniele po më bënte një surprizë por e kuptova shumë shpejt që nuk ishte kështu, pasi në sallon filluan të lëviznin gjërat. U mbylla në dhomë dhe Daniele lajmëroi policinë. Kur ndeza dritat për fat të mirë ata ishin larguar. Kështu ndodhi edhe pak ditë më vonë, por pasi ra alarmi dhe u larguan”.

